Dy ditët e para të muajit korrik kanë qenë intensive për kryetarin e Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe. I zgjedhur në mandatin e dytë të tij në këtë post, ai nuk harroi futbollin, nisur edhe nga koha e shkurtër që ka mbetur për të nisur përgatitjet për sezonin e ri. Ka qenë pikërisht rikonfirmimi i trajnerit Ilir Gjyla hapi i parë, ndërkohë që është afruar edhe mbrojtësi Klajdi Broshka.
“Rikonfirmimi zyrtar më është bërë pasditen e së martës dhe për këtë besim e falenderoj presidentin Fatos Tushe. Natyrisht që është një përgjegjësi e madhe kjo, sepse synimi këtë sezon nuk është i lehtë, por ngjitja në Superiore. Shumë shpejt do nisim me organizimin e skuadrës, bazuar në titullarët e sezonit të kaluar, por edhe tek akademia e të rinjve”, theksoi Ilir Gjyla për SportEkspres.com.
Për merkaton ai deklaron se parimisht është rënë dakord me qëndërmbrojtësin Klajdi Broshka, i cili në sezonin e kaluar ishte pjesë e Egnatias së Rrogozhinës. “Broshka është një qendërmbrojtës shumë i mirë dhe Lushnjes i bën punë. Natyrisht që nuk do jetë i vetmi, pasi jemi në kontakt me 2-3 futbollistë të tjerë. Lushnja ka edhe shumë lojtarë të shpërndarë në skuadra të tjera, të cilëve u kemi bërë oferta”.
AGRON KAJA