Duke fituar pastër 3-0 me Korabin në javën e 18-të, Besëlidhja u pozicionua në vendin e tretë në Grupin A dhe formula e fazës së tretë e përball në javën e 19-të me Erzenin e vendit të dytë. Ndërkohë, trajneri i skuadrës lezhjane, Vladimir Gjoni, për fitoren me dibranët shprehet më shumë i kënaqur nga loja e mirë që zhvilloi skuadra e tij, se sa nga rezultati i thellë.
Për SportEkspres.com, Gjoni deklaron se të gjitha repartet funksionuan shumë mirë. “Ne e mbyllëm fazën e dytë me një fitore ndaj Korabit, ndeshje në të cilën e gjithë skuadra dha më të mirën e saj dhe repartet funksionuan shumë mirë. Harmonizimi i mirë i tyre gjatë gjithë ndeshjes prodhoi edhe rezultatin e pastër. Mbeta i kënaqur nga loja e mirë që skuadra prodhoi në atë takim”.
Ndërkohë Gjoni e mendon më të fortë garën për fazën e tretë, madje thekson se Besëlidhja do synojë edhe kreun. “Nuk është çudi që me këtë formulë të mos kërkosh maksimumin në fazën e tretë. Besëlidhja do të jetë skuadra që do ta rivalizojë Vllazninë dhe kjo garë nis që të shtunën në përballjen tonë me Erzenin e vendit të dytë. Përgjysmimi i pikëve na e jep këtë mundësi dhe nuk do të ishte keq që të ishim ne të parët në këtë grup”.
AGRON KAJA