Në ndeshjen e javës së 15-të me Shënkollin në transfertë, Besëlidhja ka fituar 2-0 një “derbi” të Prefekturës së Lezhës, por edhe një sfidë që e përforcon më shumë në renditjen e Grupit A. Tashmë skuadra lezhjane duket se e ka arritur synimin e parë që në fundin e fazës së dytë të renditet në pesë skuadrat e para të grupit, pasi renditet në vendin e 5-të, 4 pikë më shumë nga Kopliku që renditet në vendin e 6-të.
Këtë situatë, tekniku i Besëlidhjes Vladimir Gjoni nuk e quan rastësi në skuadrën që ai drejton, dhe fitoren në Shënkoll e konsideron si vendimtare për synimet. “Fitorja në Shënkoll ishte kyçe për synimet tona. Nuk erdhi rastësisht, sepse e gjithë skuadra ishte e mobilizuar dhe tregoi një shpirt të lartë gare. Kështu do të jetë Besëlidhja deri në fundin e sezonit”, theksoi tekniku Gjoni në deklaratën e tij për SportEkspres.com.
Ndërsa Besëlidhja luan të mërkurën në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë me Skënderbeun, Gjoni nuk e konsideron sfidën me Skënderbeun të vështirë, edhe pse e kanë humbur takimin e parë. “Me Skënderbeun ne e humbëm takimin e parë në Lezhë, vetëm nga dy episode të shkëputura. Kjo nuk do të ndodhë të mërkurën në takimin e dytë dhe besoj se do të jetë një rezultat befasues. Besëlidhja është e përgatitur për surpriza të tjera edhe në Kupë”.
AGRON KAJA