Edhe pse Kamza mori një pikë në Laç, skuadra nga periferia e kryeqyteti shkoi në vendin e fundit të klasifikimit. Gjithsesi, ajo pikë e marrë ndaj kurbinasve është pika e kthesës sipas trajnerit Ernest Gjoka, i cili foli në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të ndeshjes me Luftëtarin.
Luftëtari ka pasur problem, mund të jetë mundësia për t’u rikthyer te fitorja?
Në futboll ka pasur raste kur skuadrat kanë thënë se kanë probleme dhe më pas tregohen mjaft të rrezikshme. Ky për ne është mësim dhe jemi të përqendruar totalisht te ndeshja dhe te ajo që ne kërkojmë të bëjmë. Jemi të fokusuar që të arrimë suksesin me çdo kusht sepse kemi nevojë si oksigjen për ato pikë.
Sa të vështirë e shikoni garën për mbijetesë?
Gara për mbijetesë do të jetë shumë e fortë dhe shumë e gjatë. Katër skuadrat do të luftojnë për marrjen e pikëve, ndaj vështirësia do të jetë shumë e madhe.
E ka kthyer barazimi në Laç besimin në skuadër?
Skuadra kishte nevojë për atë barazim sepse kishte rënie nga ana psikologjike, nga humbjet që kishte. Skuadra tregoi se ka mundësi dhe ka forcë ndaj një skuadre si Laçi, që është një ekip shumë i mirë.
Si keni menduar që t’i zgjidhni problemet në sulm?
Nuk është vetëm sulmi që duhet të zgjidhë situatat, por skuadra duhet që ta çojë topin sa më shpesh në sulm, përmes një filozofie. Skuadra e Kamzës ka sulmues me potencial dhe jemi të fokusuar që skuadra ta çojë sa më shpesh topin në sulm ,që më pas sulmuesit të bëjnë detyrën.
Kalendar shumë i nderlikuar deri në fund të vitit, sa do të ndikojë ecuria në këto tre ndeshje të planet tuaja në merkato?
Kemi një grup me lojtarë me cilësi dhe përvojë. Në kampionatin tonë këto dy gjëra janë të rëndësishme dhe skuadra e ka një bosht, që mund ta çojnë para Kamzën. Çdo skuadër ka nevojë për të sjellë lojtarë me cilësi. Ata që duhet të vijnë duhet të kenë më shumë cilësi se grupi aktual. Mos të harrojmë që merkato e janarit është shumë e varfër dhe duhet të kesh shumë fat që të kapësh ndonjë lojtar me cilësi shumë.
Ju shqetësojnë episodet në lidhje me gjykimin?
Uroj që gjykimi mos të jetë protagonist për rezultatin. Uroj që të marrim atë çka do meritojmë në fushë sepse nëse do të kem probleme do na vënë në vështirësi dhe do na nxjerrin ndonjë fjalë që nuk duhet ta themi.
Sa i besoni krizën e Luftëtarit?
Në futbollin shqiptar gjërat nuk shkojnë gjithnjë mirë. Çdo skuadër ka krizën e vet. Ne besojmë te fitorja dhe kemi punuar gjatë gjithë kësaj kohe që ta lërë këtë handikap, për të marrë fitoret për të mbushur atë gropë të madhe që kemi lënë pas.
E ndjeni presionin e rezultateve?
Në futboll gjatë gjithë kohës ka presion, ndaj ne e kemi marrë këtë detyrë, pasi dimë që ta mbajmë presionin. Ne do të ecim para dhe sa më shumë të ecim para do tregojmë se kemi karakter dhe dinjitet si skuadër.
Ju mungojnë tifozët? Më shumë atmosferë po krijohet në protestën studentore…
Sigurisht që tifozi është boshti i një klubi futbolli, është paterica që e ndihmon një skuadër futbolli të ecë përpara. Ne kemi nevojë shumë për tanë. Sigurisht kanë njëfarë të drejte, pasi nuk motivohen të vijnë prej rezultateve tona. Por unë kam besim se do vijnë dhe të na mbështesin, por e kemi ne në dorë, duhet të dalim nga ky moment i vështirë dhe t’i kënaqi dhe mundësinë që të vijnë e të kënaqen në stadium.
Të gjithë jemi brenda kësaj vorbulle. Ne jemi pjesë e qytetarisë së kryeqyteti. Është një moment i vështirë për ne dhe kur shohim se studentët po japin një mesazh të madh se çfarë është demokracia. Kush ka veshë duhet të dëgjojë mirë dhe kush ka sy duhet t’i hapë mirë. unë solidarizohem me ta dhe kemi nevojë për këtë lloj lëvizje kaq të madhe.