Ernest Gjoka është shfaqur shumë i mërzitur pas humbjes me Partizanin. Një rezultat 0-1 përballë të kuqve qëndron, por bojkoti i 8 titullarëve ishte një goditje e madhe për të. Problemet mes presidentit dhe kryetarit të Bashkisë nuk po zgjidhen dhe pasojat e vuan Kamza.
Trajneri flet shkurt për mediat e pranishme në stadium dhe do të mendojë dhe për pozitën e tij, pasi është e vështirë të ecësh përpara me një ekip që nuk paguhet dhe vendos të mos zbresë në fushë.
SITUATA – “Gjendja jonë është kjo që është. Kaq është mundësia jonë dhe nuk më takon të flas për gjëra tjera. Nuk është çështje ultimatumi, por duhet zgjidhur situata. Njerëzit kanë nevojat e tyre nga ana financiare, kanë familje për të mbajtur.”
KONFLIKTI – “Dy drejtuesit tanë kanë prishur marrëdhënien me njëri-tjetrin dhe këtë gjë po e vuan skuadra. Unë uroj që të zgjidhen të gjitha gjërat që skuadra të jetë e qetë. Mundësitë e mia janë të përgatis skuadrën që del në fushë. Kur e kam skuadrën e qetë, mendoj se gjërat do të shkoj në mirë. Kur gjërat rëndohen, nuk e di se çfarë ndodh. Di të them se është situatë e vështirë.”
NDESHJA – “Në këto momente që jam, jam i kënaqur me të gjithë ata që mu përgjigjen. Jam i lumtur që dhanë të gjitha mundësitë e veta. Bënë mirë, bënë keq, do ta vlerësoj më vonë. Kaq!”
MOTIVIMI – “Sigurisht që problemet janë, por unë mendoj se do t’i jap dhe pak kohë presidentit dhe n.q.s nuk e qetëson skuadrën, jo vetëm unë, por askush nuk punon dot. Nuk është çësthje dorëheqje, por nëse nuk i motivon lojtarët të luajnë, unë nuk kam çfarë bëj.”
BOJKOTI – “Unë nuk kam çfarë sqaroj për mungesat. Unë erdha për respektin tuaj në këtë intervistë, por mendoj se si unë, si ju, e dini mirë si është situata. Për mua nuk ka më vlerë. Ta mbyllim këtu këtë intervistë dhe shpresoj që situata të zgjidhet, për hir të këtyre djemve. Nëse skuadra do të ketë qetësi psikologjike, Kamza do të ishte shumë më mirë. Mos i bini derës time për këto probleme, duhet të dini kujt dere t’i bini.
E ARDHMJA – “Unë nuk stërvis dot djemtë e mi vetëm fizikisht, pasi ata nuk janë aspak të motivuar. Do të shqyrtoj dhe pozitën time këtu. Unë mendoj se çunat që luajtën sot, dhanë maksimumin.”