Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, foli pas fitores kundër Skënderbeut për Supersport, ku tha se kjo ishte një fitore e merituar për të tijtë, por ai gabim që solli golin e pësuar duhej evituar. Mes të tjerash, Gjoka tha:
NDESHJA – “Kupa ka specifikën e vet. Nuk duhet të kishim bërë atë gabim. Po nuk ka rëndësi, skuadra fitoi, bëri punën e vet. Gjithçka vendoset pas dy javësh, duhet të luftojmë shumë”.
RIKTHIMI – “Unë e kam thënë që ka qenë fat i madh që ardhja në këtë skuadër ishte pozitive, në sensin që skuadra më priti mirë. Duke pasur cilësi brenda dhe duke pasur futbollistë me eksperiencë, ma bënë punën shumë të lehtë. Unë dua vetëm t’i qetësoj, të ulim tensionin, të shohim përpara. Jemi në rrugë të mbarë”.
DËMTIMET – “Shpresoj që të luftojmë me kohën dhe ndonjë nga mbrojtësit të na rikthehet. Shpresojmë që Shameti të rikthehet, të rikthehet dhe Dzaria. Presim vetëm Ramën, lojtarët e tjerë e kanë mbyllur sezonin. Përderisa po luajmë dhe po fitojmë, kemi besim normale”.
GJICI SI ABRAMOVIÇ – “Gjici është një president që e ka bërë Kukësin një skuadër elitare. Ai është një nga më të suksesshmit për momentin. Është si Abramoviç apo është si Gjici? Mendoj se është si vetja”.
RROCA – “Unë i falëndëroj jo vetëm Rrocën, por dhe Ethemin. Nuk luajti asnjëri në pozicionin e tyre natyral, por bënë maksimumin për skuadrën dhe dua vetëm t’i falënderoj”, u shpreh Gjoka.