Trajneri i Kamzës, Ernest Gjoka ka folur para ndeshjes kundër Tiranës në konferencën e tij të zakonshme për shtyp, ku pranoi se diferencat në katër skuadrat e fundit të tabelës janë inekzistente. Mes të tjerash, Gjoka u shpreh:
“Sigurisht që ndeshja nesër është shumë e rëndësishme për të dyja ekipet. Ndeshja e Kupës ishte një ndeshje që të gjithë e pamë se si ishte. Është një ndeshje e fortë dhe ekipi që do të gabojë më pak do të marrë rezultatin pozitiv.
Nuk shikoj që humbja me Vllazninë ishte një humbje tragjike. E interpretuam mirë, dhe në qoftë se portieri nuk do të bënte atë gabim, që është një gabim njerëzor ndoshta ne do të merrnim atë që kërkonim. Duhet të jemi mirë psikologjikisht, pasi na duhet të interpretojmë ndeshjen, ku kemi përballë një kundërshtar me emër të madh. Ekipi më i qetë dhe që do të bëjë detyrat si duhet do ia dalë.
Sigurisht që në futboll çdo gjë është e lidhur shumë me anën psikologjike. Si ne si Tirana nga ana psikologjike nuk jemi mirë. Kjo është një luftë ku duhet të bëjmë sa më mirë punën tonë.
Mendoj që skuadra ka punuar mirë dhe futbollistët i dinë problematikat dhe se si funksionon kampionati. Shpresoj që të gjithë problemet që kemi t’i kthejmë në forcë për të bërë një start të mirë të këtyre dy fazave.
Presim Sebinon, që është një vlerë e shtuar e ekipit. Një njeri që jep frymë pozitive. Nëse kalon testin sot, nesër do të jetë në formacion.
Për momentin Izazola nuk është i qetë, kështu që ne i kemi dhënë kohë të qetësohet. Do ta shohim gjatë javës. Ka shumë probleme familjare dhe në këtë situatë kërkon të jetë afër familjes, kështu që do flasim me kujdes dhe ne si klub mund t’i japim leje të largohet, pasi ka probleme.
Po të kemi parasysh katërshen e fund tabelës nuk është se jemi larg merkatos që kanë bërë kundërshtarët tanë. Jemi skuadër modeste dhe jemi munduar me aq sa kemi mundësi, por dhe kundërshtarët tanë nuk kanë bërë ndonjë merkato kushedi. Luftëtarit i kanë ikur lojtarë të rëndësishëm, ndërsa Tirana nuk është se ka bërë ndonjë afrim. Jemi në të njëjtat ujëra. Problemi ynë kanë qenë dëmtimet e shpeshta.
Renditja nuk gënjen për Kamzën. Kemi lojtarë cilësorë, por nuk kemi rezultate të mira. Çfarë do të prodhosh atë do marrësh. Nuk kemi prodhuar, dhe nuk kemi marrë rezultate. Shpresoj që kjo do të ndryshojë.
Është një problem që nuk flas dot, sepse kam probleme të miat në punën që bëj dhe nuk jam unë ai që duhet të jap një mendim për skuadrat e tjera.