Gjoka e nis ters: Së shpejti do të vijnë edhe rezultatet

Trajneri i ri i Vllaznisë, Ernest Gjoka, e ka nisur me humbje ndaj Partizanit, në një sfidë ku gjithccka nisi ters, sepse goli që në minutën e katërt ia prishi gjithë planet. Trajneri i shpallur kampion sezonin e shkuar nuk shqetësohet për lojën aspak bindëse të Vllaznisë, duke qenë i bindur se kthesa do të vijë së shpejti.

“Nuk ka vend për të qenë i kënaqur, as për rezultatin natyrisht, e as për lojën. E kërkuam golin, por jo në mënyrën e duhur dhe treguam shumë defekte. Duhet të punojmë që të nxjerrim cilësitë që lojtarët i kanë, mund t’ia dalim duke punuar shumë, ditë pas dite.

“Situata e skuadrës? Mendoj se nuk ka ndonjë problem, ka lojtarë cilësorë, edhe pse natyrisht sa më shumë cilësi të ketë, aq më mirë është. Ka një ngërç nga ndeshjet e fundit, por do të punojmë që ta kalojmë këtë moment.

“Gjendja e skuadrës? Nuk ka probleme fizike. Punuam shumë, sidomos me Gocajn në krahun e vet, sepse në krahun tjetër Marku ka më shumë tipare mbrojtëse. Nuk bëmë shumë në fazën sulmuese, por edhe Vucaj, edhe Hasani, e kërkuan shpesh Kalanë, ndërsa Lika tentoi shpesh me gjuajtje nga distanca. “Gjithnjë një skuadër duhet të mësohet me atë që kërkon një trajner i ri, skuadra vrapoi shumë dhe u mundua, ndaj deri diku jam i kënaqur, por më mërzit shumë që nuk morëm pikë, sepse nëse ishim pak më të qartë në sulm do të shënonim.

“Nuk pati ndonjë lojë me “xixa”? Ndoshta nuk u pa në televizion, por “xixa” kishte. Sigurisht që nëse shënonim do të flitej ndryshe, por kam besim se kjo skuadër do të ngrihet shumë shpejt, kam besim te sulmuesit, që do të përmirësohen. Lojtarët dhanë shenja të mira sot, e mbajtëm nën presion konstant Partizanin dhe së shpejti do të vijnë edhe rezultatet”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *