Mario Baloteli e kaloi verën duke kryer tratativa me klube të ndryshme, kryesisht me Marsejën. Pushimet e gjata i kushtuan shumë dhe sulmuesi italian peshonte 103 kg, kur u rikthye tek ekipi i Nicës me datë 17 korrik. Një peshë përtej limiteve për një lojtar 1.88 metra i gjatë, pesha ideale e të cilit duhet të jetë 88 kg.
Diçka e tillë i ka kushtuar Balotelit, i cili është gjobitur nga klubi francez. Zham Pierr Rivere, presidenti i Nicës, ka qenë personi që ka zbuluar gjobën për sulmuesin në një prononcim për “Nice Matin”. Megjithatë, kreu i klubit ka besim se SuperMario do të zhvillojë një sezon shumë të mirë dhe sqaron tratativën që solli rritjen e rrogës së sulmuesit.
“Mario e nxori vetën në “pozicion jashtë loje” dhe Nica nuk e ka zakon t’i trajtojë lojtarët ndryshe. Ai do të bëjë një sezon të madh, sepse do ta vendosim në kushtet më të mira dhe për faktin që është një futbollist i madh.
Rinovimi? Në rinovimin dy-vjeçar të sezonit të kaluar, kishim parashikuar një ulje rroge nëse nuk kualifikoheshim në Kupat e Europës. Menduam që mund të ishte larguar, por ai u rikthye me ne. Vendosëm t’i rrisnim rrogën, sepse gjetja e një sulmuesi të tillë do të na kushtonte shtrenjtë. Megjithatë, Mario fiton më pak se në vitin e parë të tij”, përfundon kreu i klubit të Nicës.