Gjoba nga klubi? Jo, tani e tutje punë e detyrueshme për lojtarët e Shalkes

Shalke ka disa rregulla të reja për lojtarët e saj. Ndryshe nga vitet e tjera, ku lojtarët gjobiteshin për gabimet që ata bënin, tashmë zyrtarët e klubit kanë një forme tjetër ndëshkimi.

Trajneri i ri i Shalkes, 31-vjeçari Domeniko Tedesko, së bashku me menaxherin Kristian Hajdël dhe me drejtorin sportiv Aksel Shuster, janë duke punuar për një rregullore në lidhje me disiplinën në ekip.

Lojtarët të cilët shkelin rregulloren nuk do të gjobiten më nga ana financiare, por me punë të detyrueshme. Puna e detyrueshme përfshin ndihmën në dyqanin zyrtar të klubit, madje edhe në ditë pushimi nëse shihet e nevojshme.

Sipas menaxherit Kristian Hajdël, ky lloj ndëshkimi do të jetë më i drejtë. Lojtarë si Gorecka, të cilët kanë paga deri në miliona euro, nuk e kanë problem pagesën e një gjobe disa mijëra euro, ndryshe nga lojtarë si MekKeni, ku paga e tyre prej pak mijë eurosh në muaj nuk e përballon dot këtë gjobë. Rregullorja e re për disiplinën e lojtarëve do t’i prezantohet javën tjetër bordit drejtues në qendrën stërvitore në Austri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *