Cungu trondit Vllazninë: Rruga e gabuar, iki brenda pak javësh!

0

Armando Cungu ka muj të tërë që “i bie murit me kokë”, sepse u ngjir duke i lëshuar mesazhe Vllaznisë se duhen ndryshime të mëdha, në çdo drejtim, për të ndërtuar një skuadër cilësore, në lartësinë e emrit legjendar që mbart klubi shkodran.

Përtej faktin e çdo vit Vllaznia prodhon talente, tashmë është arritur në një pikë ku në Shqipëri një ekip me talente e ka tepër të vështirë të mbijetojë, nëse nuk ka edhe 5-6 liderë me eksperiencë dhe cilësi.

Sezonin e shkuar Cungu kishte vetëm Shtubinën, Gocajn, Elis Bakajn për pak muaj e ndonjë tjetër, nga ata që quhen me eksperiencë dhe cilësorë, ndërsa baz e skuadrës ishte U-23.

Mbijetesa në javën e fundit duhej të ishte një kambanë e fortë alarmi, por askush nuk e ka dëgjuar.

Në Shkodër kanë halle të tjera, financat janë një makth dhe bashkia nuk e ka idenë si të gjejë rrugën për të dalë nga kjo situatë, ndërkohë që ka zëra për interesim biznesmenësh, por asnjë nuk flet qartë si është e vërteta dhe ku ngec puna, nëse vërtet ka ndonjë interesim për të privatizuar Vllazninë, ose për të blerë një pjesë të aksioneve.

Kjo situatë absurde ka lodhur së tepërmi trajnerin Armando Cungu, i cili mbylli një sezon tepër stresues dhe tashmë e sheh veten në një situatë edhe më të keqe, sepse janë larguar shumë lojtarë, me eksperiencë apo talente të së ardhmes.

Trajneri shkodran duket se po shkon drejt një vendimi drastik, që do të trondiste edhe më keq klubin shkodran, që e ka pasur si “spirancë” në mes të stuhisë. Cungu do të presë edhe pak javë, për të parë a do të ketë ndonjë ndryshim, para se të largohet përfundimisht, pasi situata e krijuar është skandaloze. “Kështu nuk vazhdohet, do pres edhe pak dhe pastaj do shoh. Nëse nuk shoh ndryshim, është e kotë”, është “bomba” e Cungut. Tani topin e ka Vllaznia!

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.