Një pankartë e tifozëve në stadium ka bërë që te Partizani të “trazohen” disi dhe të reagojnë përmes një deklarate, ku falënderojnë tifozët për mbështetjen dhe distancohen nga parulla “1 grek më pak, 1 bastard” më pak.
“Falë masave të marra organizative, takimi Partizani – Skënderbeu rezultoi një festë e vërtetë sportive e denjë për një ndeshje vitrinë të kampionatit tonë. Njëkohësisht dëshirojmë të distancohemi nga episodet sporadike (rasti i banderolës), të cilat nuk kanë lidhje me eventin sportiv, dhe bien ndesh me politikat Fair –Play të Klubit. Sporti duhet t’i bashkojë njerëzit dhe jo të krijojë përçarje mes tyre.
Një falënderim i veçantë shkon për tifozerinë e kuqe, e cila me pjesëmarrjen e saj masive,në këtë ndeshje, këngët dhe përkrahjen e fuqishme përgjatë gjithë takimit, dhuruan një atmosferë të mrekullueshme”, shkruhet në reagimin e klubit.
DISIPLINA – Do të jetë e pashmangshme gjoba për Partizanin, pasi nuk kanë munguar sendet e hedhura në fushë gjatë ndeshjes me Skënderbeun. Ofendimet janë kthyer në një normalitet dhe është e vështirë të ndalohen në stadiume.
Shpresohet që të mos ketë dënim të fushës, në mënyrë që ekipi i kuq të ketë në vazhdimësi mbështetjen e tifozëve. Humbja me Skënderbeun duhet harruar sa më shpejt, pasi kampionati është i gjatë dhe të kuqtë janë pretendentë seriozë për titullin kampion.