Berat Gjimshiti mund të humbasë ndeshjen e nesërme me Milanin. Mbrojtësi i Atalantës është stërvitur i diferencuar një ditë më parë dhe rrezikon të mos luajë dot ndaj kuqezinjve. Shkak për këtë është bërë një goditje në pulpë.
Gjithsesi sot do të vendoset përfundimisht nëse Gjimshiti do të grumbullohet për ndeshjen me Milanin, që zhvillohet nesër prej orës 20:30. Trajneri Gasperini duhet të jetë i përgatitur për të gjetur zëvendësuesin e futbollistit të kombëtares sonë.
Mbrojtësi 25-vjeçar kohët e fundit po luan rregullisht me Atalantën dhe është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës nga Bergamo. Ai numëron 11 ndeshje në Serie A këtë sezon dhe nëntë prej tyre i ka nisur si titullar. Gjimshiti ka arritur të shënojë edhe një gol në fitoren 4-1 që Atalanta regjistroi kundër Interit në muajin nëntor.