Gjici shkarkon zëvendëstrajnerin, tani ka vërtet ultimatum për Milinkoviçin!

Jurgen Zela

Thuajse të gjithë në Kukës e dinë atë shprehjen që është më vështirë që ta ruash titullin sesa ta mbrosh atë, por nëse më parë vetëm e kishin dëgjuar, tani po e jetojnë vetë dhe ka mjaftuar një barazim me Vllazninë për t’i trazuar ujërat. Nuk lejohej hap fals, pasi Skënderbeu kishte fituar një ditë më parë. Që aty nisi kërkesa e llogarisë, me trajnerin Milinkoviç që në prononcimet pas ndeshjes nuk nguroi që t’ia faturonte mbrojtjes këtë barazim, duke përmendur dhe emra të përveçëm. Presidenti Gjici i zhgënjyer la stadiumin, pa folur me lojtarët e tij, por as me mediat.

TAKIMI ME STAFIN – Në orët e para të mëngjesit të së hënës stafi teknik, është paraqitur në zyrat e Kukësit dhe kanë analizuar me Gjicin ndeshjen me Vllazninë, për të veçuar pikat se ku ka gabuar skuadra. Numri një i skuadrës ka shfaqur pakënaqësinë e tij për lojën e zhvilluar, pasi në Kukës nuk mbahet mend hera e fundit se kur skuadra ka qenë në disavantazh të dyfishtë, në një farë mënyre trajneri Mlladen Milinkoviç dhe stafi i tij kanë dhënë llogari para numrit 1 të Kukësit.

Gjici, i cili vetëm të shtunën mburrte trajnerin Milinkoviç dhe evidentonte faktin që serbi ka një staf shumë të kompletuar, duket se nuk e ka fort me qejf këtë gjë, pasi në nerva e sipër ka urdhëruar edhe largimin nga puna të ndihmëstrajnerit Marko Jovanoviç, i cili bën rolin e analistit tekniko-sportiv në skuadër dhe Gjici ka shfryrë nervat pikërisht ndaj tij. Nuk dihet ende nëse largimi i Jovanoviçit është përfundimtar, sepse zor se Milinkoviç do ta pranojë largimin e ndihmësit, por “Sport Ekspres” mëson edhe një detaj të rëndësishëm nga mbledhja me tone të larta: Milinkoviç dhe stafi kanë si ultimatum fitoren në Vlorë, këtë fundjavë. Nëse nuk fitohet, pritet tërmet dhe nota 9 e së shtunës së shkuar për trajnerin mund të shumëzohet me zero.

MBLEDHJA ME LOJTARËT – Nga zyra e presidentit Gjici në kompleksin “Internacional” në Pezë. Në orën 12:00 skuadra ishte thirrur për seancën e parë stërvitore të kësaj jave. Para se të niste puna në fushë, ka pasur një diskutim mes stafit dhe lojtarëve. “Sport Ekspres” mëson se stafi teknik ka nisur të kërkojë fajtorët e atij barazimi që është përjetuar si një humbje, pasi Skënderbeu ka nisur arratinë. Kryesisht ka qenë reparti i mbrojtjes ai që ka marrë më shumë kritika, gjithsesi nuk ka munguar replika dhe nga ana e futbollistëve. Pjesëtarët e stafit kanë kërkuar llogari për veprimet në fushë, që ditën e ndeshjes, por siç duket është e rëndësishme gjetja e fajtorit, pavarësisht se diçka e tillë mund të bëhej pa zhurmë.

Një klimë jo shumë e ngrohtë, që nuk i shkon për shtat një skuadre kampione. Nuk mund të lihen pas krahëve fjalët e Milinkoviçir në prezantimin e tij, kur deklaronte se presioni do të ishte mbi të dhe jo te lojtarët. Duke bërë në një mënyrë a në një tjetër “gjyq” për lojtarët, nuk shkon fjala në vend. Edhe lojtarët kanë shfaqur pakënaqësitë e tyre, por duket se në Kukës ajo që ishte arma më e fortë edicionin e shkuar,  harmonia, mungon. Kukësi ka një sfidë të madhe përpara dhe mënyra se si do ta menaxhojë do të tregojë nëse mund ta përballojë të qenurit kampion. Megjithatë, kjo nuk është një situatë aspak e mirë, pasi duhet imagjinuar çdo të kishte ndodhur nëse do të kishte ardhur disfata, që ishte pranë… Pas debateve mes lojtarëve dhe stafit stërvitja ka vijuar normalisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online