Tifozët e Napolit kanë kryer një gjest të mrekullueshëm duke shprehur solidaritetin e tyre me familjet e prekura nga shembja e urës në Xhenova, ngjarje e ndodhur me 14 gusht. Napoli dështoi në fushën e blertë përballë Sampdorias, duke e humbur ndeshjen me rezultatin 3-0, por tifozët meritojnë notën 10-të.
“Napoli Fans Bolonja” morën iniciativën për të ndihmuar familjet në nevojë dhe gjatë javës ata bënë apel në rrjetet sociale duke i ftuar të gjithë të kontribuonin për çështjen në fjalë.
“Kontaktuam me zyrën e vullnetarëve të qytetit të Xhenovës për të mësuar se për çfarë kishin nevojë. Peshqirë, batanije, mbulesa tavoline, rroba, pajisje shtëpiake, orendi të ndryshme, furnizime shkollore dhe gjëra të tjera të nevojshme. Çdokush që dëshiron të kontribuojë mund të na kontaktojë privatisht dhe të lënë një takim për të bërë dorëzimet, përpara ndeshjes të së dielës”, shkruhej në postimin e bërë nga “Napoli Fans Bolonja” në faqen e tyre në “Facebook”.
Dorëzimet e pakove të mbledhura u bënë para ndeshjes së mbrëmshme, larg kamerave dhe aparateve fotografikë. Sapo mbërritën në Xhenova, tifozët e Napolit shkarkuan nga autobusët e tyre pakot e mbushura plot dhe mbasi ia dorëzuan ato Mbrojtjes Civile, morën rrugën drejt stadiumit “Luixhi Ferraris”. Një gjest për t’u duartrokitur dhe human, ndërsa ishte gazetari, Sandro Rutuolo, i cili postoi një foto në rrjetet sociale duke bërë publike iniciativën fisnike të tifozëve të Napolit.