Menjëherë pas ndeshjes së kontrollit që është zhvilluar ditën e enjte pasdite, skuadra e Tomorit i është nënshtruar një përgatitje akoma më specifike në seancat që kanë pasuar. Tekniku Gersi Arbëri është i fokusuar më së shumti në disa detaje, të cilat priten që të jenë edhe çelësi i suksesit për skuadrën beratase ditën e diel në përballjen ndaj Lushnjës.
Pas seancës stërvitore të ditës së premte, kapiteni i beratasve Ervis Çaço ka folur për objektivin e Tomorit në kampionatin e ri.
“Jemi vërtet një skuadër e ndërtuar rishtazi në këtë edicion të ri, por me ambicien e njohur që të nisim me fitore kampionatin. Kemi besim, jo vetëm se futbollistët e sapoardhur kanë shumë grintë dhe dëshirë për të përfaqësuar sa më denjësisht Tomorin, por mbi të gjitha, duke shfrytëzuar faktorin fushë dhe duke vlerësuar maksimalisht kundërshtarin, besojmë shumë që nëpërmjet fitores ndaj Lushnjës në shtëpi, të nisim sezonin e ri si një skuadër pretendente dhe pse jo si kokë grupi për të kërkuar ngjitjen në Superiore pas gjashtë sezoneve” është shprehur Çaço.
Edi Spahiu