Gilman Lika: Vllaznia, zgjedhja ime e parë

Gaspër Marku

Një tjetër emër i lakuar ditët e fundit se mund të jetë në listën e merkatos së Vllaznisë, është edhe Gilman Lika. Mesfushori, që në kampionatin e kaluar luajti për Tiranën, ka mbyllur aventurën me bardheblutë dhe tashmë është një lojtar i lirë, në pritje të ekipit të ri. Nga burime pranë klubit të futbollit “Vllaznia”, emri i Gilman Likës nuk është cituar zyrtarisht si një propozim për t’u bërë pjesë e skuadrës sezonin e ri. Megjithatë, ai është një kandidat për t’u kthyer te skuadra e qytetit të tij. Duke gjykuar nga qëndrimi i drejtuesve të klubit kuqeblu, të cilët kanë deklaruar se fokusi do të jetë te futbollistët shkodranë, që luajnë me ekipet e tjera të Superligës, emri i Gilman Likës mund të jetë i dyti në radhë, pas Edon Hasanit. Me këtë të fundit kanë nisur tashmë bisedimet konkrete. “Sport Ekspres” ka kontaktuar me Gilman Likën, i cili ndodhet në Shkodër aktualisht. Mesfushori ka pohuar se me të nuk biseduar askush nga ana e klubit kuqeblu. Ndër të tjera, Lika bën të ditur se vazhdon të qëndrojë pranë familjes së tij dhe nuk ka marrë një vendim për të ardhmen, por pranon se Vllaznia mbetet zgjedhje e parë. Ai flet me respekt për skuadrën, ku u lind dhe u formua si futbollist, madje duke qenë protagonist në fitoren e disa trofeve kombëtarë. Dëshira për të qenë pjesë e Vllaznisë edhe më përpara nuk i ka munguar, por, sipas tij, duke qenë nën kontratë me Tiranën, mundësitë kanë qenë të pakta. Aktualisht, kur kontrata i ka përfunduar me Tiranën, ai e shikon Vllazninë si një opsion të mundshëm, pasi një transferim i tij te kuqeblutë do të ishte në parametrat zero.

 

DEKLARATA – “Unë në Shkodër jam, madje një pjesë të mirë të ditës e kaloj në shëtitje me familjen, në pedonale dhe në pikat turistike të Liqenit të Shkodrës, por deri tani nuk më ka takuar dhe telefonuar askush nga Vllaznia”, – thotë Lika, duke shtuar më tej se nuk është aspak sekret se ai e dëshiron Vllazninë. Nëse drejtuesit e saj e shikojnë të arsyeshme sa mesfushori u shërben kuqebluve: “Jam i gatshëm të ulem në bisedime për të gjetur gjuhën e përbashkët, për vazhdimin e karrierës sportive në Shkodër. Vllaznia mbetet zgjedhja e parë për mua”.

PËRJETIMI – Në fund të bisedës për “Sport Ekspres”, Gilman Lika shprehet se fundin e kampionatit që shkoi e ka përjetuar në mënyrën më të keqe, qoftë për Tiranën, me të cilën ishte nën kontratë, por edhe për Vllazninë. I duhej të luante kundër Vllaznisë, skuadrës së qytetit të lindjes, që ishte në pozita të vështira mbijetese, ndaj dhe falënderon drejtuesit e Tiranës, që e mirëkuptuan dhe pranuan që ai të mos ishte pjesë e ndeshjes dramatike në stadiumin “Loro Boriçi”. “Do ta kisha jashtëzakonisht të vështirë ta përballoja emocionalisht ballafaqimin mes Vllaznisë dhe Tiranës. Natyrisht, më ka ardhur shumë keq, që Tirana zbriti nga kategoria”, – ka përfunduar Gilman Lika, i cili, nga ana tjetër, është ndjerë i lehtësuar që skuadra e zemrës, Vllaznia, i shpëtoi rënies.
Drejtuesit kuqeblu duan të kenë një skuadër më kompetitive për sezonin e ardhshëm dhe e kanë nisur punën nga rikthimi i disa prej shkodranëve për të spikatur në kampionatin tonë. Kontaktet e para zyrtare janë bërë me Edon Hasanin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *