Skënder Gega, trajneri i Partizanit, pas ndeshjes së humbur me Luftëtarin, foli në një lidhje direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport. Tekniku i të kuqve normalisht që ishte i zhgënjyer nga rezultati që mori skuadra e tij, që në fakt i pati mundësitë gjatë 90 minutave për ta mbyllur në favor.
“Hap fals, ka edhe një ndeshje. Shpresoj të bëjmë ne atë që bëri Luftëtari në Gjirokastër. Nuk ka lojtarë më të mirë, 11 janë ata që luajnë. Të mësojmë nga kjo ndeshje e humbur”, u shpreh Gega fillimisht.
“Kishim mundësi ta mbyllnim ndeshjen. Pas 1-0 u përgjumëm. Bëmë dy gabime dhe pësuam. Do u jap mundësinë atyre që e meritojnë. Ata që janë në stol kanë arsye. Vazhdojmë kështu si jemi. Nuk ndryshojmë se kemi humbur një ndeshje në Kupë”.
“Përqendrimi i skuadrës? Kishte përgjumje, edhe pse u kërkua përqendrim. Kërkuam presing dhe nuk duhet të kishte panik. Shpresoj të na shërbejë dhe t’i shohim gabimet. Do ikim në Gjirokastër, asgjë nuk është mbyllur”.
“Momenti më i vështirë? Kemi pasur edhe humbje në kampionat dhe kemi ditur të reagojmë. Nuk jemi shumë pesimistë. Kemi edhe 90 minuta. U dhanë shumë krose. Ata luajtën në mesfushë. Nëse nuk shënon, patjetër kundërshtari shfrytëzon ato pak raste. Gabuam dhe duhet të korrigjojmë. Shanset e kualifikimit? Kemi aq shanse sa kishte Luftëtari para se të niste lojë.
“Do mundohemi që gjërat pozitive t’i përmirësojmë. Gjërat negative t’i eliminojmë. Me Teutën do jetë ndeshje tjetër nga impenjimi dhe gjithçka. E kishim vlerësuar, pavarësisht përgjumjes te gola. Do shohim ndeshjes e radhës”.