Gega: Kupa mbaroi, tani fokusohemi në kampionat

Skënder Gega analizoi ndeshjen e humbur me Luftëtarin dhe cilësoi penalltinë si momentin e kthesës. Në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport ai foli edhe për lëvizjet që kishte bërë në formacion. Mungesat në kampin e kuq ishin të shumta, ndërkohë që tanimë fokusi është te kampionati.

KUPA – “Nuk është mirë të eliminohesh nga Kupa. E filluam keq në Tiranë dhe e mbaruam këtu. Nuk është se erdhëm pa dëshirë për të fituar. Gjirokastra u lirua te penalltia. Pasi pësuam iu munduam të reagonim. Gjithsesi, kjo gjë mbaroi tani dhe ne fokusohemi te kampionati”.

KAMPIONATI – “Do të jetë një ndeshje totalisht ndryshe. Në kampionat e kemi treguar se jemi të fokusuar 100%. Humbëm në ndeshjen e parë dhe këtu në Gjirokastër. Ekipi duhet të jetë i fokusuar tek ndeshjet e radhës dhe të ruajmë vazhdimësinë në kampionat”.

FIZIONOMIA E LOJËS – “Trashi është një emër që është përfolur si mesfushor. Deri më tani, është përdorur si mbrojtës, por me tipare sulmuese. U munduam ta linim në mes të fushës dhe të jetë më i fokusuar te sulmi, nuk funksionoi. U munmduam të qarkullojmë dhe të gjejmë hapësira, zona boshe, por nuk arritëm të japim më të mirën”.

MESFUSHA – “Kam provuar disa lojtarë në qendër të mesfushës. Nganjëherë, bëjmë disa eksperimente. Unë i shoh gjërat me detaje, me hollësi. Telushi dhe Hila kanë diçka ndryshe, janë agresivë. Trashi dhe Atanda janë të ndryshëm”.

ASANI – “Unë në fakt nuk e pashë sepse isha me fytyrë nga fusha. Dëgjova një zhurmë, nuk e di me kë e ka pasur. Besoj e ka pasur me veten. Është një lojtar që ka kontribut dhe do fitoren. Ndonjëherë, dëshira dhe mundësitë janë larg. Jemi në punë dhe në punë ka situata stresuese: Godet tavolinën, karrigen. Por ai është mirë, nuk ka pësuar asnjë dëmtim” tha Gega.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *