Skënder Gega, trajneri i Partizanit, në prag të ndeshjes me Skënderbeun në Korçë ka dalë në konferencë për shtyp dhe i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të pranishëm. Fillimisht ai foli për fazën përgatitore dhe për gjendjen në skuadrën e tij.
“Pas fazës kemi bërë një analizë, shkoi shumë mirë dhe kjo u pasqyrua edhe në ndeshjet miqësore. Besoj se jemi në rrugën e duhur. Me një pjesë që janë afruar jemi të kënaqur. Gjithsesi ia lëmë kohës. Nesër është një ndeshje e re, kështu që mendoj vetëm për nesër jo më gjatë”, u shpreh fillimisht Gega.
“Është e vërtetë që kemi pasur ngërç me Skënderbeun, pavarësisht nga loja. Nuk kemi marrë maksimumin. Do mundohemi të bëjmë pak gabime dhe të mos ndëshkohemi nga momente të veçanta. E njohim kundërshtarin, është ekip i mirë. Edhe pse në javët e fundit nuk ka qenë ai që presin. Jemi të fokusuar te puna jonë dhe shkojmë për të bërë maksimumin”.
“Nuk kishte asnjë shenjë futbolli nga ambienti që ishte në Fushë-Krujë. Më mbushi me optimizëm dëshira dhe serioziteti me të cilin grupi e mori ndeshjen. Pritëm shumë në të ftohtë, në aspektin teknik jam i kënaqur”.
“Kemi 25 lojtarë, jam munduar t’u jap të gjithëve hapësira. Është një proces në vazhdim, gjërat ndryshojnë. Me rëndësi është ta kuptojnë që kush bën diferencën do luajë titullar. Të tjetër do presin momentin. I kënaqur nga merkato? E mira nuk ka fund. Këta që kanë ardhur i kemi pritur si duhet, si kualitet dhe si profesionistë që janë. Shpresoj që t’i japin ekipin një shtysë më të madhe. Klubi po punon që të sjellë edhe të tjerë, pa hedhur poshtë punën e pjesës tjetër të skuadrës”.
“Kam dëgjuar dhe lexuar shumë gjëra sa i takon dëshirave të mia. Unë nuk kam shprehur ndonjë dëshirë se dua ‘filanin’. Lumi (Rexhepi) dhe Duka kanë qenë dëshirat e mia personale, sepse i njoh të dy. Kemi sjellë edhe të tjerë, shpresoj të mos kemi gabuar”.
“Humbja nuk është sukses, karshi Skënderbeut të dy rezultatet e tjera janë të pranueshme. Është një ekip me grup kualitativ. Jemi përgatitur, nesër do ja lëmë fushës”.
“Çfarë kam përfituar unë si trajner? Nga qershori deri tani ndoshta kanë qenë vitet më të mirë në karrierë. Kam punuar edhe jashtë vendit, financiarisht kam marrë më shumë. Shpirtërisht jam i kënaqur, i jam mirënjohës klubit, lojtarëve dhe tifozëve. Më kënaq fakti që jam këtu dhe do vazhdoj projekti”.
“Partizani, çfarë ka më shumë se Skënderbeu? Pa dashur të tregoj mungesë respekti, e kemi merituar vendin e parë. Nuk e shikoj ndeshjen direkte si matëse, shoh vazhdimësinë. Jam trajner dhe synimi im është fundi i kampionatit. Kemi humbur dy ndeshje me ta, ndeshje që ndoshta nuk do dilnin ashtu. Kemi pasur mangësitë tona dhe shpresoj që t’i korrigjojmë e të bëjmë diçka më tepër nesër”.
“Skënderbeu luan për të tretë? E vlerësoj kundërshtarin. Ccdo kundërshtar luan kundër nesh dhe kjo Tregon që kemi vlera. Jemi dikush dhe po të mos ishte kjo, vlerat tona do zbeheshin. Kjo do të jetë shtytje për ne. Jo vetëm ndeshjet e Europës na japin atë adrenalinën që të japim maksimumin, por edhe brenda kampionatit klubet kanë vlera. Nëse luajnë më fort kundër nesh, duhet të jemi të përgatitur. E shoh pozitive këtë”.
“Mundësi për ta nxjerrë Skënderbeun nga gara? Është një sfidë direkte, por janë 18 ndeshje në total deri në fund. Nëse vjen fitorja, jemi komodë, por edhe nëse nuk ndodh, duhet të dimë të ngrihemi, nuk mbaron e as nuk fillon kampionati në Korçë”.
“Rinovimi, qetësi për mua? Nuk kam pasur shqetësim, kam pasur vetëm kur nuk njihja ende grupin dhe kur doja të futja filozofinë që kam pasur në mendje. Për fat të mirë, gjithçka ka ecur mbarë në këtë drejtim. Personalisht jam komod, në shtëpinë time, ndihem në familje. Kam lexuar për shifra marramendëse në lidhje me pagën time, nuk janë të vërteta, as për mua dhe as për lojtarët. Pashë sot që edhe Duka ishte mbuluar me flori, por nuk është e vërtetë. Kontrata? Kontratat nuk tregohen, por nuk janë ato shifra, ju siguroj dhe u qetësoj. Transparencën e bën klubi, unë jam trajner. Mos u shqetësoni, as mos gëzoni më shumë sesa duhet”.
“Partizanit i mbajnë gjunjtë deri në mars ka thënë Gjici? “Nuk më takon të flas, është perceptimi i tij dhe nuk dua të flas për gjunjët e të tjerëve. Ai ka folur për gjunjët tona, le t’ia lëmë kohës. Besoj se i kemi gjunjët shumë të fortë”.
“Ka presion? Ndihem shumë mirë. Nëse ish-trajnerët e Superiores mendojnë se Partizani do shpallet kampion, është mendimi i tyre. Pastaj na përket ne të bëjmë detyrën”.
“Ardhja e një sulmuesi? Besoj se është plus, janë shumë ndeshje deri në fund. Sulmuesi i ri mund të vijë për 6 muaj apo për shumë kohë, nuk e di ende kush është. Nëse vjen dikush, të shohim. Kemi bisedime me shumë lojtarë, por nuk kemi ende firmë. Kështu e ka merkato. Ka ofertë, ka edhe kërkesë. Unë jap mendimin tim dhe pastaj ka probleme të tjera, merret klubi.
“A ka pasur ndërhyrje nga palë të treta në merkato? Në Shqipëri ka shumë palë, është e drejta e të gjithëve të merren me menaxhim. Unë shoh lojtarët që më ofrohen dhe vendos. Secili ofron klientin e vet dhe nuk kam asnjë kundërshtim”.
“Favorit ndaj Skënderbeut, ju ve nën presion kjo? Do hyj në lojë sikur Skënderbeu është i plotë dhe më shumë se kaq. Nuk do të flemë, e vlerësojmë në maksimum Skënderbeun, si çdo rival, ky është profesionalizmi. Shkojmë në Korçë për të bërë maksimumin, ndaj një kundërshtari shumë të fortë”.
“Atanda në mesfushë? E provova sepse Telushi ishte i dëmtuar. Jam i kënaqur prej tij. Nuk kemi kohë për shumë prova, do të vijojmë siç jemi, nëse nuk vjen asnjë lojtar tjetër. Cilësia është e njëjtë, mendoj se jemi në rrugën e duhur”.