Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, ka folur para gazetarëve në daljen për shtyp që i paraprin takimit të nesërm, ku “demat e kuq” do të luajnë në Fushëkrujë ndaj Kastriotit. Gega foli mbi çështjen aktivizimit të Hebajt dhe mbi kundërshtarët.
GJENDJA E EKIPIT – “Gjërat po shkojnë shumë mirë. Po marrim masat për ndeshjen ndaj Kastriotit. Kemi parë ndeshjen e tyre të fundit ndaj Skënderbeut. Mendoj se është ekip për t’u vlerësuar dhe jo për nënvlerësuar. Shkojmë në Krujë me një synim të qartë, nuk ka asnjë gjë të lehtë”.
MUNGESAT – “Atanda nuk do ta marrë pjesë, pasi është i pezulluar për shkak kartonësh. Kemi lojtarë në dispozicion dhe ata që janë, janë të freskët dhe shpresojmë që ta na japin një shtytje më tepër. Në këtë aspekt jemi shumë mirë”.
TERRENI – “Të jemi i sinqertë nuk kam qenë ndonjëherë aty. Kam parë në kronika se ka pasur ankesa për fushën, por duhet të bëjmë atë që kanë bërë dhe ekipet e tjera e të marrim maksimumin. Kjo është Shqipëria, këto janë kushtet”.
RREZIKU NGA EUFORIA? – “Aktualisht jemi në vendin e dytë, një pikë larg vendit të parë. Mbetemi ekip kryesues. Unë e kam thënë se do t’i marrim ndeshjet një e nga një. Kreu ka përgjegjësi të madhe mbi supe. Grupi po bën maksimumin, lojtarët po lodhen dhe janë konsumuar shumë. S’duhet të ndalemi presioni do të shtohet me kalimin e javëve”.
OBJEKTIVI – “Unë dua të marr maksimumin. Shkojmë për fitore në Krujë. Jemi Partizani, pa nënvlerësuar Krujën. Kanë luajtur mirë në disa ndeshje, si ndaj nesh ose ndaj Skënderbeut. Tre pikët janë njësoj si ndaj Korçës dhe Kastriotit”.
HEBAJ TITULLAR? – “Hebaj është aktivizuar në pjesën më të madhe të ndeshjeve, si titullar e zëvendësues. Kam 25 lojtarë, në formacionin titullar nuk kam mundësi t’i aktivizoj të gjithë. Mesazhi im për të dhe çdo pjesëtar tjetër të skuadrës është që në ato momentin që të hyjë në lojë të tregojë se është titullar. Çdo javë flitet për Hebajn, nuk e kuptoj nga vjen kjo, sepse ai është 20 vjeç dhe unë e konsideroj shumë të ri dhe më të ardhme. Por, në të njëjtën kohë duhet t’i marrim maksimumin ndeshjeve. Hebaj është pjesë e grupit dhe shpresoj të rritet e të kontribuojë kemi dhe 26 ndeshje, patjetër që do të ketë momentin për t’u kthyer në formacion”.
SFIDA NDAJ NICËS – “Stavri (Nica) është njeri që ka punuar në shumë klube. Ai ka mentalitetin e vet dhe në një ndeshje që e pashë besoj se ka bërë mirë. Ne kemi formatin tonë, kemi një grup të konsoliduar. Ata do të marrin masa dhe ne do t’i kundërpërgjigjemi atyre”, përfundoi trajneri i Partizanit.