Merkato është gjithmonë e paparashikueshme. Mjafton të ndryshojë diçka, një raport i thyer, një mërzitje e momentit që të kthehet në fiksim, ndonjë ofertë më e mirë dhe… valixhet gati për t’u larguar.
Marko Çivoli, gazetar i “Rai Due”, ka zbuluar një “flirt” midis Interit dhe Maks Alegrit, trajnerit të Juventusit. Çivoli ka rrëfyer një bisedë të bërë para disa kohësh me Masimo Moratin, ish-presidentin e famshëm të klubit zikaltër.
“Ekziston hipoteza që Alegri të bëhet trajner i Interit. Morati, i cili mbetet presidenti i Interit, pavarësisht se nuk e mban më si post, më tregonte kohë më parë se e vlerësonte shumë Alegrin që nga koha kur ishte trajner i Milanit. Nuk do të befasohesha nëse pas një farë kohe, Interi të bënte ndonjë vlerësim për Spaletin.”
Nga ana tjetër, Interi vazhdon të “gërmojë” në merkato për të përforcuar kontingjentin e Spaletit. Klubi italian ka hedhur sytë drejt kampionatit grek, konkretisht tek ekipi i Panathinaikosit, ku luan dhe Ergys Kaçe.
Drejtuesit e klubit po ndjekin Janis Buzukis, mesfushorin e talentuar 20-vjeçar, i cili ka lindur në Prevezë. Buzukis ka rënë në sytë e drejtuesve të Interit në ndeshjen e përfaqësuesve U21, Greqi-Hungari. Ai ka luajtur 12 ndeshje këtë sezon me Panathinaikos, duke numëruar dy asiste dhe dy gola të shënuar.
Siç citon “To10.gr”, Buzukis është vënë në shënjestrën e Interit. Ai konsiderohet si Luka Modriç i ardhshëm, ndërsa ka zhvilluar tre ndeshje dhe shënuar një gol me ekipin U21 të Greqisë.