Pas dy fitoreve rresht kundër Sampdorias dhe Xhenoas, Milani do të përballet me Udinezen në transfertë, të dielën në mbrëmje. Xhenaro Gatuzo ka folur në konferencën për shtyp përballë ekipit friulan dhe objektivi është fitorja. Kuqezinjtë renditen në vendin e katërt dhe dëshirojnë ta mbajnë me çdo kusht këtë pozicion deri në fund, për të arritur objektivin Champions.
UDINEZE – “Kam vuajtur gjithmonë në atë stadium dhe njësoj do të jetë dhe nesër. T’i lëmë alibitë e dëmtimeve, Udineze do të na sulmojë, janë të fortë fizikisht dhe do të na duhet të bëjmë një ndeshje të madhe. Ata besojnë, dëgjiva Velaskez (trajneri i Udinezes) dhe duhet të jemi gati. Ata mund të na vënë në vështirësi të mëdha. Jemi pak të lodhur, dikush nuk është rikuperuar në aspektin psikologjik, por nesër dua të shoh më tepër uri dhe cinizëm.”
MONTOLIVO – “Gjëja që më bezdis më shumë janë fjalët e kafeneve. Montolivo nuk ka qenë kurrë jashtë kontingjentit, gjithmonë është stërvitur me skuadrën, por zgjedhjet i bëj unë. Klubi e di mendimin tim dhe sot e grumbulluam për shkak të mungesave që kemi. Nëse do të ketë hapësira, do të grumbullohet. Nuk i mbyll derën askujt, nuk kam patur asnjë problem me Montolivon, janë thjeshtë zgjedhjet e mia.”
FORMA – “Kemi humbur disa lojtarë, duhet të jemi gati dhe të luajmë si skuadër. Kemi vuajtur shumë për të arritur zonën Champions dhe shpresoj që të qëndrojmë aty. Skuadra është stërvitur gjithmonë mirë, fitoret na ndihmojnë të ndihemi mirë, por nuk është momenti për buzëqeshje.”
DËMTIMET – “Çalhanoglu sakrifikoi të mërkurën, e vlerësoj për këtë gjë, ashtu siç bëri dhe Kesi. Dje provoi të stërvitej, por këmba i dhemb dhe 3-4 ditë pushim do i shërbejnë për të marrë veten. Bilja do të qëndrojë në shtëpi deri ditën e hënë dhe nuk mund ta mbështesë këmbën në tokë. E njëjta gjë dhe për Kaldarën. Kalabria po përpiqet, por ndjen vështirësi dhe dhimbje, ndërsa Bonaventura ka punuar në aspektin atletik dhe është përmirësuar.”
SKUADRA – “Kur arrin rezultate dhe bën 3-4 fitore rresht rritet besimi dhe personaliteti i skuadrës. Djemtë kanë dëshirë, sakrifikojnë dhe një gjë të tillë e bënë në dy ndeshjet kundër ekipeve xhenoveze. Sampdoria na vuri në vështirësi të mëdha, ndërsa kundër Xhenoas mund të bënim më mirë pas avantazhit. Gabimet ndodhin, por duhet të luajmë pa frikë. Shqetësimi më i madh janë lojtarët e humbur rrugës. Ndodhemi në një moment ku duhet të shtrëngojmë dhëmbët dhe të japim diçka më shumë. Më pëlqen sakrifica dhe shpirti i ekipit.”
MERKATO – “Për këtë gjë përgjigjet Leonardo, unë jam trajneri dhe stërvis lojtarët.. Pyetjet për merkaton duhet t’ia bëni Leonardos dhe Maldinit. Dua të flas për lojtarët që kam në dispozicion dhe nuk dua të flas për merkaton.”
ZGJEDHJET – “Nuk kam shumë zgjedhje për të bërë dhe duhet të përshtatim cilësinë me sasinë. Nesër është një ndeshje ku duhet të duelojmë, të fitojmë topin dhe të jemi të aftë në duelet një kundër një. Udineze është një nga ekipet më fizike të kampionatit dhe duhet të gabojmë sa më pak të jetë e mundur. Duhet të bëjmë dy lloj ndeshjes, kur kemi topin dhe kur e ka kundërshtari.”