Të shtunën Milani pret Spalin në “San Siro” dhe djemtë e Gatuzos nuk kanë alternativa të tjera përveç tre pikëve. Kuqezinjtë ndodhen në një moment të vështirë, ndërsa nuk fitojnë prej 4 ndeshjes në kampionat.
Xhenaro Gatuzo ka folur për “Milan TV”, duke treguar dhe atmosferën që ekziston në ekip. Objektivi Champions nuk është larg (Lacio është 3 pikë larg), por duhet arritur medoemos. Trajneri i Milanit tregon problemet e ekipit, ndalet te Higuain, si dhe jep mendimin e tij për ngjarjet raciste të ndodhura në Itali.
MOMENTI I VËSHTIRË – “Ajo çfarë perceptoj është fakti që jashtë Milanelos ka shumë pesimizëm për rreth ekipit. Është e vërtetë që nuk e kemi hedhur hapin cilësor që duhet të bënim, por kur ishim në vendin e katërt u duk sikur duhet të bënim më shumë. Duket sikur e gjitha që po bëjmë në këto momente është negative dhe kjo gjë perceptohet dhe nga futbollistët.”
MILANI – “Kemi luajtur pa frikë dhe pa patur asgjë për të humbur në momentet e vështira. Kundër Bolonjës dhe Torinos kemi patur rastet tona, por nuk kemi përfituar. Kundër Frozinones u zhgënjeva në pjesën e parë, ndërsa në të dytën patëm rastet tona për gol. Jemi një skuadër që ka dëshirë për t’i bërë gjërat mirë, por që i bën gjërat përgjysmë. Kemi rregulluar mbrojtjen, por po vuajmë të shënojmë gol.”
HIGUAIN – “Ka gabuar një penallti të rëndësishme, mori karton të kuq dhe e gjitha bota foli për të. Dua të shoh Higuainin e pjesës së dytë kundër Frozinones, i cili të vjen përballë, kërkon kombinimet me shokët e skuadrës dhe krijon raste për të shënuar. Ai nuk kishte as fat, sepse luanim kundër një skuadre që mbrohej me 10 vetë.”
CHAMPIONS – “Duhet të qëndrojmë afër vendit të katërt. Duhet të tregohemi të aftë për të qëndruar në garë deri në pranverë. Milani ka fituar shumë gjatë historisë së tij, por duhet të mendojmë për të tashmen. Titulli ynë është kualifikimi në Champions dhe të gjithë duhet të japim edhe më shumë. Fakti që nuk kemi shfrytëzuar mundësitë për të forcuar pozitat në vendin e katërt na ka futur në depresion, por jemi akoma aty duke rivalizuar. Kemi bërë shumë dhurata dhe kundër Spalit nuk kemi alternativa përveç fitores.”
RACIZMI – “Jam dakord me atë që ka thënë Ançeloti. Sigurisht që nuk jemi shteti i vetëm në të cilin ndodhin këto episode. Mendoj se ka ardhur momenti që futbolli të ndalet dhe ndeshjet të ndërpriten. Jemi në prag të vitit 2019 dhe duhet të përmirësohemi. Nuk mendoj se Italia është një vend racist, sepse këtu ka shumë emigrantë, por janë shpeshherë 4 debilë që nisin këto kore.”