Gatuzo “shpërthen” ndaj mediave: Për lojtarët e mi hidhem në zjarr!

Milani do të luajë mbrëmjen e nesërme ndaj Bolonjës, ndeshjen për javën e 16-të të Serisë A. Kuqezinjtë, vijnë pas eleminimit befasues nga Europa Ligë, teksa do të provojnë të ringrihen në transfertën e Bolonjës. Përpara sfidës ka folur trajneri Gatuzo, i cili ka shpërthyer kundër gazetarëve, për sa i përket çështjes së merkatos dhe lojtarëve.

PËRBALLJA ME INZAGIN – “Është pjesë e futbollit. Kushdo që e bën këtë punë, është në dijeni që në qoftë se nuk ka rezultate, rreziku i shkarkimit është aty. Me gjithçka që kemi përjetuar me Pipon nuk mund të harrojmë asgjë. Respekti dhe dashuria mes nesh do të mbetet gjithmonë”.

HIGUAIN – “Kam folur me Gonzalon dhe është i pari që është i zhgënjyer për situatën aktuale. Në periudhën që jemi, kemi nevojë për eksperiencën dhe karakterin e tij, normalisht pas këtyre vijnë edhe golat. Në kohë të vështira, prioriteti nuk janë golat, por lidershipi. Higuain duhet të kujdeset për shokët e skuadrës, në rast se ata bëjnë gabime. Kritikat do të jenë gjithmonë aty për të, por i kam thënë që të gjithë e vlerësojnë shumë dhe kanë besim se ai mund të bëjë më shumë”.

SPEKULIMET E MERKATOS – “Jeni duke i paketuar dhe po i largoni. Është vigjilje Krishtlindjesh, kështu që ju po i vini poshtë pemës si dhurata. Të gjithë gjërat që shkruhen për transfertat dhe për financat janë çështje që edhe klubi ende nuk ka nisur të merret. Askush nuk ka ardhur të më thotë se do të nënshkruajmë me këtë lojtar, apo do të largojmë këtë lojtar. Këto gjëra i dëgjoj vetëm nga ju të medias”.

LOJTARËT – “E di që kemi kufizime dhe limite, kështu që nuk mund të bëjmë shumë në merkato, por kaq. Ju thoni që ne duhet të shesim Çalhanoglun, Suson apo nuk duhet ta blemë përfundimisht Higuain. Për mua nuk është kjo çështja. Nuk mbroj vetëm Hakanin, por i mbroj të gjithë. Jam gati ta hedh veten në zjarr për lojtarët e mi. Kështu që, kur flisni me mua, më irriton shumë fakti që sulmoni djemtë e mi. E di që mbrëmjen e së enjtes shkruajtëm një kapitull të zi, por nuk është turp. Turp është për ato që vjedhin, ne vetëm luajmë futboll”.

GRUPI – “Të shohësh një grup lojtarësh modern të qajnë në dhomat e zhveshjes është një shenjë. Ndoshta futbolli i 15-20 viteve më parë është akoma këtu. Ky grup ka vlera njerëzore, shumica prej tyre ishte në lot. Më përpara kisha folur për plagët dhe kjo do të jetë një plagë, që do të na kujtojë për gabimet që kemi bërë”.

IBRAHIMOVIÇ – “Kurrë nuk fola me Zllatan. E di që kishte shance, por njëkohësisht e dija dhe që do të ishte e vështirë. Nuk ka asgjë për t’u zhgënjyër, në qoftë se dikush afrohet jam i lumtur. Nuk do të shkul flokët për ata që nuk vijnë. Drejtuesit e dinë se kush më pqëlqen dhe kush mund të më shërbejë dhe që nga korriku nuk kam folur me asnjë lojtar nga jashtë grupit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *