Milani në kaos total, një fitore në 8 ndeshjet e fundit, loje inekzistente dhe tashmë vendi i gjashtë për një ekip që deri para dy muajsh dukej në rrugën e duhur.
Trajneri Xhenaro Gatuzo pas humbjes 2-0 në Torino nuk ka më shpjegime, thjesht vijon rutinën e marrjes së fajit përsipër, ndërsa e pranon se klubi mund ta pushojë nga puna.
“Te Milani gjithçka është perfekte, dëgjoj shumë gënjeshtra në media. Ndjej respektin dhe dashurinë e klubit, pastaj nëse nuk kemi rezultate është e drejtë që të më bëhet gjyqi”.
Zhgënjim nga ndonjë lojtar?” Jo, në këtë moment nuk ia drejtoj gishtin askujt. I vetmi që vihet nën akuzë është trajneri. Të gjitha përgjegjësitë janë të miat. Lojtarët kanë dhënë sa munden, tani janë në vështirësi dhe nuk janë të qetë”.
Pushimi nga puna? “Pyesni klubin. Unë ndihem përgjegjës për këtë situatë dhe nuk bëj pas, kam fajet e mia. Nëse më largojnë, pranoj vendimin qetësisht, i vetëdijshëm se bëra sa munda”.
Penalltia e Torinos: “Nëse arbitri e dha, me gjithë teknologjinë që ekziston, do të thotë që ishte. Lojtarët duhet të dinë t’i mbajnë duart larg kundërshtarit”.