Milan pret Romën të premten në një përballje të fortë të javës së dytë të Serisë A. Trajneri Gatuzo ka folur në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme. Trajneri i kuqezinjve kërkon nga ekipi të mos përsërisë gabimet e bëra në ndeshjen me Napolin dhe ndalet te lojtarë të veçantë.
Roma – “Roma ka ndryshuar shumë lojtarë, ashtu si dhe ne. Dua të rinisemi nga 55 minutat e para të ndeshjes me Napolin. Nuk doja të shihja ekipin që i fikte dritat dhe kur një trajner e thotë diçka të tillë, do të thotë që e ndjen. Duhet të qëndrojmë në lojë dhe të përmirësojmë interpretimin e ndeshjes. Ishim zotë të fushës për një orë, por nuk duhet të zhdukemi nga fusha në momente vështirësie. Roma ka karakteristika të ndryshme nga ne. Duhet të jemi të kujdesshëm me Xhekon. Ata kanë lojtarë të shpejtë, kanë lojtarë të gjatë dhe duhet të jemi të kujdesshëm në topat inaktivë. Ndihem mirë kur i shoh lojtarët të punojnë me intensitet. Luajmë në shtëpi përpara 60 mijë tifozëve dhe duhet të bëjmë gjithçka për të mos përsëritur gabimet e Napolit.”
Champions – “Nivelin teknik për të arritur në zonën Champions e kemi, por në aspektin karakterial dhe emotiv duhet të rritemi dhe të krijojmë një skuadër. Kjo është ajo që na mungon.”
Donaruma – “Nëse Bonaventura nuk do e devijonte topin e 2-2, Donaruma do e priste. Ta gjuash prap atë top, 10 herë del jashtë, ndërsa dy herë mund të përfundojë në rrjetë. Nuk duhet të kërkojmë fajtorë medoemos. Unë jam i lumtur me të.”
Anësorët e krahut&Kastihejo – “Laksalt mund të bëjë çdo rol. Ai është një lojtar dinamik, por ka vetëm dy javë me ne. Kalabria nuk bëri një ndeshje të madhe, gaboi shumë në aspektin teknik dhe diçka të tillë nuk pritet nga ai, por Kalabria është një lojtar që na jep një besueshmëri të madhe dhe jam i lumtur me rritjen e tij. Kastihejo? Ai mund të prishë ekuilibrat e një ndeshje. Ka dinamizëm, forcë, arrin të bëjë lëvizje interesante në shpejtësi dhe ka një driblim të mirë. Po punon me një mënyrë tjetër, por është ambientuar. Punon me seriozitet, por dhe qesh e bën humor. Ai është një lojtar që do të na japë një dorë.”
Higuain – “Hidhini një sy se sa topa ka shërbyer Gonzalo. Kur dërgon në gol mesfushorë dhe mbrojtës, do të thotë që është punuar mirë. Ai është thelbësor për ne, na bën të luajmë më mirë, na nxjerr para dhe duhet ta shfrytëzojmë në 20 metrat e fundit, por jam i kënaqur me paraqitjen e tij. Në golin tonë të dytë, të gjithë lojtarët e prekën topin dhe bëmë 27 pasime. Ky fakt demonstron kualitetin e skuadrës, por vetëm me kualitet nuk arrin askund. ”
Bakajoko – “U shpreha se nuk është aspak e thjeshtë të kalosh në një kampionat të ri, ndërsa dikush tha se unë e kam “masakruar” Bakajokon. Më kanë keqinterpretuar. Nuk e kam ofenduar, thjesht kam thënë që i duhet kohë të luajë me mekanizmat tona. Po e provoj në një rol që e ka provuar një ose dy herë në 15 ditët e fundit dhe ndoshta është faji im. Skuadra është përmirësuar shumë dhe jam i lumtur, ndërsa sa i përket Kaldarës, do të vendos nesër për të.”
“4-2-3-1”? “Mund të jetë një ndër zgjidhjet e mundshme për ne, pasi i kam në dispozicion lojtarët për të luajtur në atë lloj mënyre. Por, problemi ynë nuk ka ta bëjë me anën taktike. Skuadrën mund të luajë edhe 4-4-2 ose 4-2-3-1, koha do e tregojë se çfarë rrugë do të zgjedhim.”
Kaka – “Ai është një ndër ata burra që ka shkruar një pjesë të rëndësishme të historisë së Milanit. Por, nuk është e nevojshme të karikohemi nga emrat e mëdhenj të klubit. Është kënaqësi e madhe të shohësh njerëz të rëndësishëm që rikthehen, por karikimin duhet ta gjejmë mes nesh, kur stërvitemi gjatë javës dhe kur zbresim në fushë. Tani na duhet të merremi me objektivat tanë, duhet të gjejmë forcën për të bërë kthesën këtë fundjavë.”