Milani do të luajë ditën e nesërme përballë Sasuolos në “San Siro”. Një ndeshje, që shihet mjaft e rëndësishme për vazhdimësinë e ekipit të Gatuzos, pavarësisht barazimit me një lojë jo të mirë në ndeshjen e fundit në Kupë me Lacion.
Ditën e sotme, në kuadër të përballjes me Sasusolon, trajneri i kuqezinjve ka folur për mediat në konferencën e zakonshme. Numri një i stolit të “Djallit” preku disa tema dhe analizoi disa prej lojtarëve të tij.
SASUOLO – “Na duhet ta nisim ndeshjen me mentalitet fituesi. Vuajtëm pak në Kupën e Italisë ndaj Lacios, por tani na duhet të fokusohemi në ndeshjen ndaj Sasuolos. E njoh mirë De Zerbin. Ka lojtarë të mirë, të cilët e kuptojnë stilin e tij të lojës. Sasuolo është një ekip i organizuar dhe në rast se nuk e përgatit ndeshjen si duhet, ata të ndëshkojnë. Na duhet të përmirësohemi teknikisht.”
FORMA E SUSOS – “Për momentin Suso nuk është një problem, as për mua, as për ekipin. Ka kualitetin e nevojshëm për të kontribuar për ekipin dhe nuk duhet të mendojë për gjëra të tjera tani. Është normale të kalosh një periudhë të keqe. Ndonjëherë thjesht ndodh.”
KUTRONE – “Duhet të punojë me entuziasëm dhe të mendojë gjithashtu për të punuar fort. Nuk po penalizohet nga Piatek. Kur nuk është i lumtur, besoj se ai motivohet akoma më shumë. Puna gjithmonë shpërblehet, kështu që i duhet të punojë.”
ROMANJOLI – “Ai është i lumtur dhe krenar që është pjesë e Milanit dhe që është kapiten i ekipit. Rinovoi kontratën tetë muaj më parë dhe është thelbësor për ne. Është kënaqësi të dëgjosh klubet e mëdha të interesohen për lojtarët, por Romanjoli është i lumtur këtu.”
PIATEK – “Në ndeshjen ndaj Lacios vuajti pak, por është diçka që ndodh. Është i relaksuar, si të gjithë lojtarët e tjerë. Piatek punon shumë dhe kjo gjë nuk ndryshoi aspak pas ndeshjes në Romë. Asgjë nuk ka ndryshuar.”