Adriano Galiani ishte personi që solli Zllatan Ibrahimoviç te Milani në vitin 2010, blerja e tij e fundit e madhe. Gjiganti suedez qëndroi dy sezone te kuqezinjtë, duke fituar titullin e fundit të Milanit në rolin e protagonistit absolut.
Tashmë po përflitet për një rikthim të bomberit në Milanelo dhe palët janë afër arritjes së akordit. Në një prononcim për “Rai Radio 1 Sport”, Adriano Galiani, ish-administratori i deleguar i Milanit, aktualisht në të njëjtin rol te Monza, ka folur mbi mundësinë e rikthimit të Ibrës te Milani. Përveçse ekipit të Gatuzos, rikthimi i tij do të rriste dhe nivelin e serisë A.
“Mendoj se të gjithë kampionët e rrisin nivelin e kampionatit. Operacioni me Kristiano Ronaldon i ka bërë mirë trendit të Serisë A dhe një gjë të tillë do të bënte dhe rikthimi i Ibrës. Çdo yll i këtij niveli e rrit nivelin e kampionatit. I kam premtuar përsëri vetes se nuk do të flas më për Milanin, edhe pse jam një tifoz i çmendur pas kuqezinjve. Jam i lidhur me Ibrën, në ato dy vite fituam titullin, Superkupën e Italisë dhe dolëm të dytët në sezonin tjetër. Ibra është një futbollist i jashtëzakonshëm, udhëheqës dhe motivues i madh. Monza? Ëndrra jonë është ta rikthejmë ekipin në Serinë B“, përfundon Galiani.