Në Itali nuk falin dhe ka qenë Kozenca që e ka pësuar. Më 1 shtator duhet të luante me Hellas Veronën, por ndeshja nuk u luajt për shkak të gjendjes së fushës. Tashmë janë mbledhur organet disiplinore dhe kanë vendosur.
Gjykatësi sportiv, Emilio Batalia, i ka ngarkuar përgjegjësinë klubit të Kozencës për dështimin e luajtjes së ndeshjes, ndaj edhe ndeshjen në tavolinë e ka fituar Verona. Veç kësaj ka edhe një gjobë prej 3 mijë eurosh për klubin kalabrez.
Fusha në stadiumin “San Vito-Marula” mund të sillte dëmtimin e lojtarëve, pasi gjendja e saj në zona të caktuara nuk ishte e mirë. Klubi vendas e dinte diçka të tillë dhe nuk kishte marrë masat e duhura për ta zgjidhur problemin, ndaj edhe e ka pësuar. Justifikimi se insektet kishin dëmtuar fushën nuk është pranuar.