Partizani pret të dielën Luftëtarin, ndërkohë që një problem më vete është fusha me bar sintetik në të cilën të kuqtë stërviten. Shpesh lojtarët dëmtohen, ndërkohë që së fundmi ai që ka pasur shqetësime ka qenë nigeriani Atanda.
Për këtë arsye Partizani do të zhvendoset në Elbasan, aty ku ka mundësinë të stërvitet në fushë me bar natyral. Kjo strategji është ndjekur edhe herë të tjera nga të kuqtë, që për momentin kryesojnë kampionatin dhe synojnë të fitojnë ndeshjen e radhës me Luftëtarin.
Mungesë e sigurt për këtë takim është portieri Alban Hoxha, i cili ka pësuar një tërheqje ligamenti dhe minimalisht do të qëndrojë katër javë jashtë fushave të blerta. Kjo bën që portieri të mungojë të paktën në katër ndeshjet e radhës.
Kështu, me Skënderbeun dhe Kamzën nuk do të jetë, ashtu sikurse edhe me Kastriotin. Mbetet në dyshim nëse kapiteni i të kuqve do të mund të rikuperohet për ndeshjen me Laçin në shtëpi.