Nisur nga data 28 nëntor 2018, te skuadra e Bylisit “vërtitet” një çek prej 18 mijë dollarë që klubi ballshiot duhet ti paguajë ish-mesfushorit të tij Emanuele Mbella. Komisioni i Displinës në FIFA, në vendimin që i ka dërguar FK Bylis i ka lënë afat deri më 28 dhjetor 2018 të paguajë ish-mesfushorin e tyre në sezonin 2015-2016, Emanuele Mbella, në shumën e 18 mijë e 500 dollarëve.
SportEkspres.com ka disa ditë që kërkon kontakt me Presidentin e FK Bylis, Besnik Kapllanaj, por telefoni i tij tregon i mbyllur nga dita e premte. Pa dashur që ta aludojmë si të qëllimshme këtë mungesë kontakti me njëshin e klubit ballshiot, por në këtë situatë duhej një qëndrim zyrtar i klubit. Dhe vetëm Kapllanaj mundet ta bënte këtë, sepse do të jetë ai që do të zgjidhë qesen (ose jo) për pagesën ndaj Mbellës.
Në të kundërt, Bylisit do ti hiqen tri pikë nga renditja aktuale dhe rreziku nuk mbaron me kaq, sepse mosshlyerja e kësaj shume në vazhdimësi e zbret skuadrën një kategori më poshtë. Në këtë sezon Bylisi kryeson renditjen në Grupin B të Kategorisë së Parë dhe çdo penalitet që mund të vijë nga ky vendim i FIFA-s nuk do të jetë pozitiv jo vetëm për financat e Kapllanajt, por edhe për ecurinë e skuadrës në këtë sezon.