Alan po zhvillon një sezon fantastik dhe është një nga pikat më të forta të Napolit. Braziliani është në qiellin e shtatë, pasi i ka ardhur ftesa e Tites për të luajtur me kombëtaren e madhe.
Një lumturi e madhe për 27-vjeçarin, i cili tregon emocionet e tij për ftesën e Brazilit, ndërsa në fund bën dhe një krahasim mes Sarrit dhe Ançelotit. Të dy janë fantastikë dhe e kanë ndihmuar Alan të përmirësohet, por Karleto është special dhe trajneri me të cilin të gjithë do të dëshironin të punonin.
“Po përjetoj një ëndërr. Të jesh pjesë e një kombëtareje me kaq shumë kampionë është një vlerësim shumë i madh i asaj që kam bërë në karriere deri më tani. Shpresoj ta shfrytëzoj në maksimum këtë mundësi dhe të demonstroj progresin tim si lojtar. Të jem sot këtu, më shtyn të përmirësohem më shumë. Pas shtatë vitesh në Itali, mes Udinezes dhe Napolit, jam pjekur shumë, duke kaluar dhe momente shumë të vështira. Jam një tjetër krahasuar me atë që isha, kur erdha nga Brazili. Jam i emocionuar të jem pjesë e këtij grupi me lojtarë të nivelit të lartë.”
“Kohët e fundit shpresoja të thirresha në çdo grumbullim të “Selecao”-s dhe mezi kam pritur. Trishtohesha kur nuk shikoja emrin tim në listë, por ngushëlloja veten me faktin që te Brazili ka shumë lojtarë me kualitet të lartë nëpër botë dhe më duhej të jepja akoma më shumë. Kur pashë emrin tim në listë, festova shumë gjatë me familjen. Realizova aspiratën më të madhe të një futbollisti. Tani shpresoj që e gjitha kjo të jetë një pikë nisje”, komenton mesfushori napolitan.
“Me Sarrin luanim 4-3-3 dhe unë aktivizohesha në krahun e djathtë të mesfushës. Me Ançelotin luajmë 4-4-2, por ajo që ka me të vërtetë rëndësi është të japësh maksimumin. Nuk ka rëndësi moduli dhe roli. Ançeloti është një person i mrekullueshëm, një trajner me të cilin do të donte të punonte çdo lojtar. Ai është inteligjent, i qetë, tenton gjithmonë të na ndihmojë, pa bërtitur kurrë. Grupi është i gjithi me të. Sarri ishte pak më i mbyllur dhe i shqetësuar, por të dy janë njerëz fantastikë, të cilët më kanë ndihmuar shumë. Unë te Italia? Kam lexuar një gjë të tillë, por ju garantoj se nuk kam patur asnjë kontakt dhe askush nga Federata Italiane nuk ka komunikuar me mua”, përfundon mesfushori 27-vjeçar i Napolit.