Daniele De Rosi zgjodhi Boka Zhuniors për të vazhduar karrierën dhe në Buenos Aires ka nisur festa. Mesfushori italian ka mbërritur në kryeqytetin argjentinas, aty ku ka shijuar një pritje spektakolare.
Pas një jete me ngjyrat verdhekuqe mbi supe dhe me ëndrrën e madhe për ta mbyllur karrierën me Romën, 36-vjeçari (festoi dje ditëlindjen) i befasoi të gjithë me zgjedhjen e bërë. Drejtuesit e Romës nuk i ofruan rinovim dhe Daniele ishte gati të varte këpucët në gozhdë.
Dikush si ai e ka tepër të vështirë ta shohë veten me një ekip tjetër, por De Rosi është një lojtar që nuk i përket futbollit të këtyre kohëve.
Ja dhe zgjidhja romantike, vazhdimi i karrierës aty ku futbolli është akoma pasion, “betejë” dhe emocion, ku stadiumi është një ferr për kundërshtarët dhe një nga tifozeritë më të çmendura në botë të përkrah fuqimisht dhe pambarimisht. De Rosi është pjesë e Bokës që e ka pritur si djalin e saj, gati për të shkruar një histori shumë të bukur dashurie…