Bolonja po përjeton një periudhë tepër të vështirë dhe ndodhet në krizë. Ekipi i drejtuar nga Pipo Inzagi renditet e treta nga fundi në kampionatin italian me 11 pikë dhe ka nëntë ndeshje pa fituar. Një ecuri e tillë ka sjellë reagimin dhe protestat e tifozërisë.
Ultrasit “shpërthyen” pas humbjes së fundit kundër Empolit, duke bërë thirrje për protesta. Mbasi hapën disa banderola, ata kanë shkuar më tej. Tifozët u kanë dhuruar një surprizë të hidhur dhe të frikshme drejtuesve të klubit.
Gjatë ditës së djeshme tifozët e Bolonjës kanë vendosur 3 kryqe me emrat e drejtuesve të klubit para qendrës stërvitore të ekipit: Klaudio Fenuçi (administratori i deleguar i klubit), Rikardo Bigon (drejtori sportiv) dhe Marko Di Vaio (menaxheri i klubit). Jashtë listës së zezë ka përfunduar trajneri i ekipit, Pipo Inzagi. Normale, ai është dhe mbetet SuperPipo, pavarësisht përgjegjësive që i takojnë.