Marrëveshja është mbyllur prej ditësh, ndërsa zyrtarizimi i kalimit të Kristof Piatek drejt Milanit mund të vijë gjatë ditës së sotme. Kuqezinjtë do të paguajnë 35 milionë euro te Xhenoa për kartonin e sulmuesit polak + 5 milionë të tjera në formë bonusesh.
23-vjeçari është gati të nisë aventurën e re dhe ai pritet të debutojë me ekipin e “Djallit” në ndeshjen kundër Napolit në “San Siro”. Një akord që i kënaq të gjithë palët, por dikush nga Polonia ka vendosur të protestojë.
Andrzej Bolisega ka qenë trajneri dhe presidenti i Lechia Dzierzionov, klubi që rriti Piatekun. Sulmuesi kaloi aty 7 vitë, përpara se të transferohej drejt Zaglebie Lubin, Krakovias, Xhenoas e tashmë Milanit.
Një rregull i FIFA-s është i qartë: klubi mëmë që ka rritur një lojtar përfiton 5% të shumës së transferimit të tij, kur lojtari ndërron kampionat. Një gjë e tillë ndodh deri në momentin kur lojtari ka mbushur 23 vjeç (Piatek i mbushi me 1 korrik). Kjo bëhet për të inkurajuar klubet që të rrisin talente për të fituar më pas në një shitje të mëvonshme të tyre.
Bolisega ka zgjedhur një mënyrë origjinale për të protestuar me shpresën që mund të fitojë diçka nga kalimi i polakut te Milani. “I bëj thirrje publikisht FIFA-s për të ndryshuar dispozitat aktuale të 5% të shumës së transferimit të një lojtari. Një gjë e tillë duhet aplikuar për çdo transferim. I ftoj të gjitha skuadrat e futbollit të mobilizohen në mbështetje të Boniek (presidenti i federatës polake). Nuk është e drejtë që një klub që ka trajnuar Piatekun për 7 vite të mos përfitojë gjë nga transferimi i tij nga Xhenoa te Milani”, përfundon Bolisega, që aktualisht mban postin kryetarit të Bashkisë të qytetit ku ka lindur Piatek.