Garet Bejl është shndërruar në protagonistin kryesor të merkatos në këto ditë. Uellsiani dhe drejtuesit e Real Madrid po luajnë me nervat e njëri-tjetrit. Lojtari nuk e ka prioritet largimin nga Madridi dhe nuk e merr aspak me ngut, pasi në fund të fundit pasioni i tij është golfi.
Perez dëshiron ta shesë për të gjeneruar të ardhura dhe për të plotësuar dëshirën e Zidan, që nuk e do në skuadër. Para pak ditës Bejl ra dakort të largohet në Kinë te Jiangsu Suning, por ishte presidenti i klubit spanjoll, që bllokoi çdo gjë. Bejl është acaruar shumë nga ky veprim dhe nuk ka denjuar as të paraqitet për ndeshjen ndaj Totenhem.
“El Confidencial” zbulon përmes një fotoje se Bejl po luante golf, në të njëjtën kohë kur skuadra e tij ishte duke u mundur nga Totenhemi. Një veprim që krijon mjaft polemika dhe debate. Pas ndeshjes Zidan u shpreh: Bejl nuk është grumbulluar me ekipin sepse nuk ndihej mirë. Ishte një vendim që u mor nga unë, mjekët dhe vetë ai. Po stërvitet i vetëm në qendrën stërvitore.
Duket se edhe Zidanit i ka ikur situata nga kontrolli dhe nuk po arrin aspak ta menaxhojë. Për momentin në avantazh është Bejl. Zidan nuk e aktivizon, ai luan golf dhe merr 17 milionë euro në sezon nga kontrata me Realin. Perez i duhen para për të sjellë një mesfushor. Të ardhura që mund ti marrë nga shitja e uellsianit.