Milan dhe Juventus janë gati të përballen sonte në mbrëmje në “San Siro”, në një duel që mbetet gjithmonë i fortë dhe spektakolar. Kuqezinjtë e Gatuzos vijnë në këtë sfidë me mungesa të shumta, por ata janë gati për të treguar forcën e tyre përballë bardhezinjve të Alegrit, të cilët sivjet duan të fitojnë gjithçka.
Xhorxhio Kielini aktivizohet me Juventusin që nga vitit 2005 dhe është një nga pikat më të forta të ekipit torinez. Gjithmonë gati për të mbajtur portën e paprekur, sakrificë, karakter dhe aspak mëshirë për kundërshtarët.
Për mbrojtësin 34-vjeçar është gjithmonë njësoj, si të luash kundër Milanit, ashtu dhe ndaj Kievos. Sonte do të tentojë të ndalë Suzon dhe Higuain, por ai ka një të kaluar si milanist. E shkurtër dhe e largët. Ishte marsi i vitit 2000 dhe 16-vjeçari Kielini aktivizohej me moshat e Milanit.
Trajneri Balardini kishte vënë re një djalosh të Livornos, duke e sjellë në moshat e kuqezinjve. Ai ishte Xhorxhio Kielini dhe në ekip kishte lojtarë si Alesandro Matri, Marko Donadel, Paskuale Foxhia dhe Paolo Samarko. Ky i fundit aktivizohet me Frozinonen dhe kujton adoleshentin Kielini.
“E mbaj mend Xhorxhion kur erdhi. Ishte i trembur dhe i edukuar, si vazhdon të jetë dhe sot. Ishte i madh në trup, kishte një forcë mbinjerëzore dhe ne ishim të bindur se Milani do ta blinte. Ai ka bërë diferencën me këmbënguljen e tij. Mbaj mend një detaj, Rampanti ishte trajner jonë dhe i kërkoi Kielinit të mos e ekzagjeronte me kreativitetin: ‘Xhorxhio, dëshiron të bëhesh futbollist? Lëshoje topin para dhe vrapo’. Ai e dëgjoi dhe u bë futbollisti që është sot”, përfundon Paolo Samarko.