Dinamo po kryen përgatitjet për gjysmën e dytë të sezonit, ku ditën e sotme ekipi blu zhvilloi miqësoren përballë kombëtares sonë u19, të cilët i mundi me rezultatin e pastër 3-0. Përveç sfidës pozitive, lajme të mira ka dhe nga merkatoja për ekipin e Igli Allmuçës.
Në përfundim të ndeshjes, klubi me një postim në llogarinë e tyre në “Facebook” zyrtarizoi afrimin e Erald Kolgegës. Mesfushori mbrojti ngjyrat e Apolonisë në pjesën e parë të sezonit, ndërsa kalimi te blutë e kryeqytetit është një rikthim për të.
Në gjysmën e dytë të sezonit 2015/2016, Kolgega ka qenë pjesë e Dinamos, ku më pas u largua në drejtim të Bylisit, me të cilët luajti për dy sezone. Më parë, 24-vjeçari është aktivizuar gjithashtu dhe me Korabin apo Himarën.