Flet presidenti: Ju tregoj dilemën e stadiumit, në Champions për 400 milionë tifozët tanë

Paolo Skaroni ka folur gjatë në lidhje me çështjen e stadiumit të ri. Presidenti i Milanit komenton projektin e përbashkët me Interin për ndërtimin e një stadiumi modern.

Ndërhyrja në ‘San Siro’ është e komplikuar, pasi ekipet do të duhen të luajnë në një stadium tjetër për 2-3 vitet e ardhshme. Skaroni analizon çështjen, duke sjellë shembuj nga klube të tjera të mëdha.

Fitimit dhe arkëtimet janë thelbësore dhe në këtë pikë klubi i “Djallit” është shumë mbrapa. Milani numëron rreth 400 milionë tifozë nëpër botë dhe rikthimi në Champions është tepër i rëndësishëm për ekipin, kubin dhe gjithë tifozët e kuqezinjve.

STADIUMI – “Për të fituar në futboll nevojiten lojtarë të mirë, të cilët kushtojnë dhe kanë rroga të shtrenjta, por duhet të kujdesemi edhe për FPF (fair-play financiar). Milani ka arkëtuar sezonin e kaluar 203 milionë euro, të njëjtën shumë me 15 vite më parë. Rritja e të ardhurave është thelbësore, sepse Reali dhe Junajtid kanë arritur shifrën 1 miliardë euro fitime. Ja pse insistoj që ne duhet të bëjmë të njëjtin rrugëtim që kanë bërë skuadrat e tjera kohë më parë. Është e domosdoshme që të kemi një stadium modern ku nuk shkohet vetëm për të parë ndeshjen, por që qëndron i hapur gjatë gjithë javës, qëndron gjithmonë plot dhe që mund të vizitohet edhe kur nuk ka ndeshje. Në ‘Santiago Bernabeu’ ka 7 restorante që qëndrojnë hapur çdo moment.”

DILEMA – “Interi dhe Milani janë aleatë në këtë projekt, sepse të kesh një stadium të përbashkët është më ekonomike. Projekti ynë parashikon një stadium modern dhe efiçent. Kemi konsulentët më të mirë në botë dhe kemi vizituar të gjithë stadiumet e botës në 6 muajt e fundit. Na frenon fakti që punimet e mëdha në një stadium ku luhen dy ndeshje në javë të luajnë mendsh. Nëse nisin punimet do të na duhet të luajmë në transfertë për 2-3 vite. Nuk e di se ku, por diçka e tillë do të ishte e pashmangshme. Kjo është dilema. Nuk e përjashtoj as largimin tonë nga ‘San Siro’. Duam të bëjmë një gjë të mirë. Nëse çështja është ideologjike dhe nuk mund të prekemi, atëherë do të largohemi nga ky stadium.”

TIFOZËT – “Ekipet e mëdha kanë stadiume të bukura. Shikoni Bajernin e Mynihut. Në Itali vetëm Juventusi ka një stadium të tillë, nga i cili arkëton 500 milionë euro në vit, ndërsa ne 203… Stadiumi është thelbësor, sepse tërheq sponsorë. Champions apo titulli? Fitimi i titullit më tundon, por dua të bëj një vëzhgim ekonomik. Në Champions ka të ardhura më të larta, krahasuar me fitimin e kampionatit. Milani është akoma skuadra italiane me më shumë tifozë në botë. Nëse nuk rikthehemi në atë kompeticion, tifozët tanë plaken, ndërsa të rinjtë nuk na shohin si një skuadër të madhe. Duam t’i ‘ushqejmë’ 400 milionë tifozët që kemi nëpër botë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *