Flamurtari s’heq dorë nga Karabeci

0

Trajneri Duro është takuar me mesfushorin, i cili do të luajë në Europë me Tiranën. Më pas do të vendosë dhe vlonjatët janë të parët në radhë

Elton Nika

Erando Karabeci është një nga lojtarët, që kërkohet me ngulm nga Flamurtari për sezonin e ardhshëm. Por vlonjatët duhet të presin që mesfushori të përfundojë aventurën europiane me Tiranën. Skuadra bardheblu luan në Europa League, ku shorti i ka vënë përballë izraelitët e Makabit të Tel-Avivit. Pa paragjykuar, parashikohet që Tirana t’i mbyllë shpejt llogaritë në Europë dhe Flamurtari duhet të jetë gati në çdo moment për të marrë Karabecin, i cili mund të ketë edhe oferta të tjera nga Superiorja. Tirana ra në Kategorinë e Parë dhe vështirë që kapiteni të qëndrojë, aq më tepër që ka kërkesa. Ai firmosi për ndeshjet e Kupave të Europës, që do të thotë se më pas është i lirë të vendosë, nëse do të vazhdojë të luajë me Tiranën apo do të zgjedhë një ekip tjetër.

TAKIMI – Vetë Karabeci, teksa ka folur për të ardhmen, ka thënë se nuk e përjashton mundësinë e qëndrimit te Tirana, por ka pranuar gjithashtu interesimin e Flamurtarit, ku mund të ribashkohet me trajnerin Shpëtim Duro. Madje, mësohet se Karabeci dhe Duro kanë pasur një takim mes tyre, por pa ndonjë rezultat. Mesfushori ka bërë të qartë se do të vendosë pas Kupave të Europës. Ai ka pohuar se oferta e Flamurtarit është një nga më të rëndësishmet që ka marrë gjatë kësaj periudhe, ku po studion gjithçka me shumë kujdes. Për momentin, vëmendja e tij është e përqendruar te Tirana.

MESFUSHA – Karabeci mbetet një nga lojtarët më të kërkuar nga stafi teknik i skuadrës vlonjate, që në qendër të mesfushës ka humbur shumë kualitet dhe potencë, teksa kujtojmë që jaë larguar tashmë Donjet Shkodra dhe Bruno Telushi. Një lojtar me shumë përvojë si Karabeci do ta mbushte këtë vakuum të krijuar në formacionin kuqezi. Drejtuesit e Flamurtarit kanë lëvizur mjaft mirë deri tani në merkato, duke bërë jo pak, por 6 afrime. Flamurtari po monitoron situatën e Erando Karabecit dhe duket se do të presë derisa Tirana të mbyllë ndeshjet e Kupave të Europës. Vlonjatët duken vërtet të fiksuar pas Karabecit.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.