Te Flamurtari tanimë nis puna zyrtarisht, pasi Këshilli Bashkiak ka miratuar kërkesën për zgjatjen e bashkëpunimit me kompanitë turke “Atlasjet & TRK”. Administratori Sinan Idrizi, që përfaqëson në vendin tonë këto kompani, do të vijojë të mbetet në krye të klubit.
Por të gjithë presin përforcimet e bujshme dhe deri më tani janë afruar Blerim Kotobelli, Idriz Batha dhe Enea Koliçi. Priten edhe dy afrime të tjerë për krahët e sulmit, që e plotësojnë formacionin e vlonjatëve, por duhen bërë edhe lëvizje të tjera.
Alternativat për trajnerin Ilir Daja mungojnë. Nëse afrohen edhe Torasa dhe Kale, me të cilët është arritur akordi, atëherë formacioni i Flamurtarit bëhet interesant. Në portë Koliçi është një garanci, ndërkohë që do kërkojë të tregojë vlerat e tij, ashtu si Kotobelli.
Të dy do kërkojnë t’i tregojnë Partizanit dhe Kukësit që kanë gabuar me ta. Pollozhani dhe Veliu janë alternativat për qendrën e mbrojtjes, por po punohet që të bëhen edhe disa afrime, në mënyrë që të ketë edhe më shumë konkurrencë e opsione për trajnerin Ilir Daja.
Useini dhe Batha në mesfushë mund të mbështeten nga Emiljano Musta, kurse në sulm Bushiç deri më tani është alternativa e vetme. Kale dhe Torasa në krah të tij do të ishin problem për kundërshtarët me teknikën dhe shpejtësinë e tyre. Flamurtari tani ka marrë formë disi.