Flamurtari, edhe 3 afrime për kompletimin e skuadrës

Të bezdisur nga problemi i ish-trajnerit Gjoka dhe çështja e sulmuesit Alvesh, vlonjatët vazhdojnë merkaton. Hasani, Karabeci dhe një “big” në listë

Elton Nika

Në planet e Flamurtarit janë edhe tre afrime të tjera, për ta quajtur kështu të kompletuar skuadrën e sezonit të ri, por ka edhe një çështje të hapur me brazilianin Danilo Alvesh. Përsëritet historia e verës së kaluar, kur sulmuesi flirtonte me korçarët, madje kishte arritur një akord me Skënderbeun, por në fund u kthye te Flamurtari, pasi në mes qëndronte kontrata. Duket se do të njëjtën telenovelë do të shohim edhe këtë verë. Në fakt, në Vlorë konfirmojnë se lojtari është nën kontratë me Flamurtarin dhe nuk ka asnjë shans të largohet prej tij, ndërsa burime pranë lojtarit pohojnë se braziliani do të luajë për Skënderbeun sezonin tjetër.

DYSHIMET – Deri më tani nuk ka asnjë deklaratë zyrtare të vetë lojtarit, nëse ai ka zgjedhur të largohet nga Vlora. Në postimet që publikonte në faqen e tij në “facebook” pas mbylljes së kampionatit, shkruante se ishte i lodhur me faktin që skuadra vlonjate luftonte çdo sezon për mbijetesë dhe bënte apel për një Flamurtar serioz, pretendent për Europën të paktën. Dhe duket se Flamurtari i sezonit të ri do të jetë i tillë, pasi ka bërë disa përforcime cilësore deri tani, kështu që Alvesh nuk ka “arsye” të largohet. Ndoshta ai ka dashur të përgatitë terrenin për të justifikuar largimin e mundshëm nga Vlora, por mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë konkretisht.

KONTRATA – Duke parë që Danilo Alvesh ka kontratë me vlonjatët, me shumë mundësi, fundi i telenovelës do të jetë i njëjtë edhe këtë radhë. Me shumë detaje pritet të ketë në momentin e grumbullimit të skuadrës kuqezi, kur do të shihet, nëse Alvesh do të jetë në grumbullim apo jo. Drejtuesit e klubit dhe trajneri Duro e konsiderojnë pjesë të rëndësishme për sezonin e ardhshëm sulmuesin brazilian. Te Flamurtari janë të vendosur për ta mbajtur Alveshin në ekip, por vera sapo ka filluar dhe bashkë me të edhe telenovela e lojtarit brazilian.

MERKATO – Çështja e Alveshit i ka bezdisur disi vlonjatët, por ata mbeten të fokusuar tek afrimet e radhës në skuadër. Lëvizjet e radhës do të zyrtarizohen ditët në vijim, ndërkohë që pritet përgjigje nga Edon Hasani dhe Erando Karabeci. Ky i fundit është i angazhuar me Tiranën në Kupat e Europës dhe pas duhet pritur pak. Stafi teknik kërkon të mbushë qendrën e mesfushës, ndaj dhe ka piketuar këta dy lojtarë me përvojë në kampionatin shqiptar. Po punohet, që sa më shpejt të ketë një marrëveshje, me qëllimin për t’i veshur kuqezi. Kurse goditja e tretë mbetet mister, por flitet për një afrim shumë cilësor. Emri është shumë i vështirë për t’u zbuluar, por e rëndësishme është që vlonjatët qëndrojnë aktivë në merkato, pavarësisht problemit të ish-trajnerit Gjoka apo edhe çështjes “Alvesh”. Merkatoja vijon me ritëm dhe skuadra do të jetë e plotësuar shumë shpejt.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online