Flamurtari duket vonë, tifozët humbasin qetësinë

0

Ilir Daja po punon prej disa ditësh me Flamurtarin e ri, por deri tani janë afruar vtëm Blerim Kotobelli në mbrojtje e Idriz Batha në mesfushë. Gushti po afron dhe në kampin kuqezi duket se po punohet shumë ngadalë, aq sa ndoshta edhe Daja ka mbetur disi i zhgënjyer nga kompletimi që po duket shumë larg për një skuadër që këto sezonet e fundit është prishur e ribërë nga e para cdo verë, apo edhe në janar.

Të paktën emra me peshë si Siljanovski, Musta, Pollozhani, Useini e Bushiç kanë rinovuar, por nuk mjaftojnë dhe nuk ka as deklarata zyrtare nga drejtuesit, për të zbuluar planet e së ardhmes, ndaj edhe tifozët kanë nisur ta humbasin durimin, sepse ka vite që dëgjojnë premtime madhore dhe vetëm kaq.

Në faqen e tifozëve të Flamurtarit në Facebook, “Flamurtari Fan Club”, është postuar një letër e hapur drejtuar klubit, ku kërkohen shpjegime dhe transparencë për merkaton, për financat, privatizimin, lojtarët që pritet të vijnë, apo edhe emra të veçantë, si mesfushori Sidibe, i cili duhej blerë me kohë.

DEKLARATA E “FLAMURTARI FAN CLUB”

Jemi në 25 korrik, Flamurtari ka nisur një tjetër sezon me pretendime të mëdha, por sërish ka shumë pikëpyetje. Ka ardhur trajneri Ilir Daja, kampion sezonin e fundit dhe udhëheqës i Skënderbeut drejt triumfit në Europë, por në Korçë Daja kishte një skuadër perfekte, të ndërtuar prej vitesh pak nga pak. Tani në Vlorë i duhet të bëjë gjithçka thuajse nga zero, ashtu si Shpëtim Duro e të tjerë para tij. Në këtë moment tifozët meritojnë respekt dhe transparencë, jo broçkulla gazetash: faqja zyrtare e klubit duhet të postojë një prononcim të trajnerit, drejtorit sportiv (nëse kemi) dhe presidentit Sinan Idrizi, në lidhje me planet e ekipit.

Jo thjesht deklaratat rutinë “respekt për fanellën”, por duhen sqaruar puna e borxheve të vjetra, a shkojmë dot në Europë nëse dalim në vendet e kreut? A do privatizohet ndonjëherë klubi? A do besohet tek të rinjtë, duke nisur nga porta, apo priten lojtarë të tjerë në vazhdim? A do afrohet sulmues, duke parë që në sulm është vetëm Bushiç? A do vijë qendërmbrojtës, apo do bëjmë si Barcelona, që u fut në garë për një brazilian vetëm kur mori vesh që po firmoste për Romën? Çfarë po ndodh me Lansinet Sidibe, a do jetë pjesë e Flamurtarit në të ardhmen, apo nuk vlen, edhe pse është ndër lojtarët më të talentuar në Superiore dhe brenda një viti mund të vlejë jashtëzakonisht në treg? Kush po merret me merkaton te Flamurtari, a ka një person të ngarkuar, apo pritet gjithnjë që zoti Idrizi të bëjë telefonatat e takimet me futbollistët që pret trajneri?

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.