Në Vlorë ka amulli totale në klubin e futbollit dhe duket se Flamurtari nuk del dot nga kriza që në fakt ka mbërthyer një qytet të tërë. Mjafton të shëtitësh rrugët rreth e rrotull stadiumit për të parë gjendjen e rrugëve dhe mungesën totale të kujdesit nga ana e bashkisë, që duket se ka alergji nga stadiumi dhe futbolli.
Sot në Vlorë është hequr edhe autobusi i vjetër i klubit, një autobus që ishte në funksion në fillim të këtij shekulli dhe kishte kushte shumë të mira për kohën. Që prej kalimit të klubit në duart e administratorit Sinan Idrizi Flamurtari u bë me një autobus supermodern, ndërsa i vjetri u harrua jashtë stadiumit, i braktisur.
Për vite të tëra nuk e vuri kush ujin në zjarr, derisa sot një vinç më në fund e hoqi autobusin prej aty, autobusi me të cilin Flamurtari udhëtonte për të fituar Kupën e Shqipërisë 2009.
Duke parë sa shumë vite u deshën për të hequr mbeturinat e ndryshkura të një autobusi me histori, imagjinohet lehtë sa vite të tjera do duhet që Flamurtari të ketë vëmendjen e bashkisë dhe të shtetit.