Flamurtar i bukur, por fusha është “horror”

0

Sa për ngushëllim, edhe në Vajadolid-Barcelona fusha ishte për turp, një skandal i vërtetë që e ka parë gjithë bota. Megjithatë, le të mos matemi me botën, sidomos me atë të elitës, nuk kemi lidhje me futbollin spanjoll. Të shohim në shtëpinë tonë dhe të shohim çfarë mund të rregullojmë, nga ato që mund të rregullohen.

Flamurtari mposhti dje Kukësin, me një paraqitje shumë të mirë dhe pa pësuar gol, që rrallë e ka realizuar ndaj “gogolit” Kukës, shpesh fitues në Vlorë. Nëse llogaritet që së shpejti do të luajë edhe qendërmbrojtësi Sirgi, mund të jetë gati Elton Kale dhe mund të vijë ndonjë lojtar niveli, e ardhmja duket shpresëdhënëse për Flamurtarin.

Megjithatë, për ata në stadium dhe para televizorit, pamjet e fushës së stadiumit Flamurtari ishin tronditëse. Një fushë e shkatërruar, pa bar në shumicën e saj, sikur t’i ishte vënë flaka.

Administratori Sinan Idrizi shpjegoi në Supersport pas ndeshjes se bëhej fjalë për një aksident, me punonjësit e mirëmbajtjes së fushës që kishin gabuar diçka dhe ndodhi një e papritur, duke garantuar se brenda 2-3 javësh gjithçka do i kthehet normalitetit, por është e pafalshme që si në Vlorë, ashtu edhe në Laç, të shihet e njëjta pamje. Të nxehtit është një justifikim që qëndron deri diku, por jo aq sa të masakrojë fushat e futbollit, mjafton të shkosh në Fushë-Krujë dhe të shohësh që gjithçka është perfekte.

Për të qenë një klub fitues duhen të gjitha bashkë, nga skuadra e trajneri, deri te punonjësi më i fundit në klub duhet të punojnë si orë zvicerane, përndryshe zinxhiri do të këputet dhe herët a vonë do të nisin justifikimet se fusha nuk lejon skuadrën të luajë futboll, si ndodhte me Kukësin sezonin e shkuar në “Zeqir Ymeri”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.