Në fillimin e kësaj jave, Besa bëri goditjen e radhës në merkato. Nuk ishte ndonjë emër i njohur, por një 19 vjeçar korçar që sezonin mbylli me Tomorin në Kategorinë e Parë. Klevis Shaqe është përforcimi i radhës te skuadra e Besës, ndërsa nga kjo skuadër janë larguar Çaço, Danaj, Mziu, Dikson, Mellugja dhe Albi Çekiçi. Mesfushori korçar ka nënshkruar për katër vite me Besën dhe mendohet që të mbyllë hapësirat e krijuara në këtë repart.
Për SportEkspres.com, Shaqe deklaron se kontrata me Tomorin i mbaroi, por shpreh keqardhjen që skuadra zbriti në Kategorinë e Dytë. “Me Tomorin kalova një sezon të mirë, por më vjen keq që nuk ja arritëm mbijetesës në Kategorinë e Parë. Skuadra bëri shumë gabime, kryesisht pas fazës së dytë, por edhe fatin nuk e kishte shumë me vete. Gjithsesi, për mua ishte një përvojë që shpresoj të më shërbejë në vazhdimësinë e karrierës sime”.
Dhe menjëherë sapo sezoni i mbyll, Magani e kishte veçuar korçarin në planet e tij, për ta bërë realitet këtë verë. “Duke qenë lojtar i lirë, kisha edhe dy oferta të tjera në Kategorinë e Parë, por Besa më bindi me projektin e saj, sepse është skuadër që synon ngjitjen në Kategorinë Superiore. E mendoj një sezon më të fortë se me Tomorin, ndaj do jap maksimumin që të bind trajnerin Magani me formën time më të mirë”.
AGRON KAJA