Guerrils ishin të shumtë në ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Kukësit, ndërkohë që këtë javë luajnë në shtëpi ndaj Luftëtarit. Në kampin e kuq kërkojnë të “hakmerren” për eliminimin nga Kupa e Shqipërisë, por më së shumti fitorja synohet për t’u afruar edhe më shumë me titullin kampion.
Zakonisht në stadiumin “Selman Stërmasi” numri i tifozëve nuk ka qenë i lartë, sidomos për një klub që është në vendin e parë dhe që nuk e ka fituar titullin kampion që në vitin 1993. Kështu, Guerrils ftojnë gjithë tifozët e Partizanit të rikthehen në stadium dhe të jenë sa më të shumtë në mbështetje të ngjyrës së kuqe.
“Partizani-Luftëtari nesër në orën 18:45, luhet një nga 9 finalet që na ndajnë nga objektivi i shumë dëshiruar. Tani është radha e tifozerisë të tregojë masivitetin e vet dhe të mbështesë fort ekipin në këto ndeshje me shumë rëndësi.
Asnjë ndeshje nuk është e lehtë dhe tani e tutje janë të gjitha vendimtare. I bëjmë thirrje gjithë tifozerisë të rikthehet fuqishëm në stadium, çdo fitore na afron akoma më shumë drejt vendit që i ka takuar gjithmonë Partizanit! Shihemi nesër!”, shkruhet në thirrjen e ultrasve të kuq.