Realdo Fili u shpall lojtari i ndeshjes me Flamurtarin. Sulmuesi anësor shënoi golin e barazimit dhe goditi shtyllën, ndërkohë që në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport deklaroi: “Është një gol i rëndësishëm për mua, por ky më shumë pasi kisha kohë pa realizuar. Nuk më ka ecur, dy ndeshjet e fundit kam goditur shtyllën tre herë. Morëm pikë dhe është një mision i kryer. Golat më japin besim edhe mua”.
“Skënderbeu? Atje nuk gjeta veten për shumë arsye, nuk kisha besimin e duhur, nuk kisha mbështetje. Kështu kam mbështetjen e njerëzve metë cilët punoj. Falënderoj trajnerin Ahmataj, ka përmirësuar shumë lojën tonë dhe timen në veçanti”.
“Objektivi është t’i marrim ndeshjet një nga. Ndeshja e radhës është objektivi ynë. Luftojmë edhe në Kupë, është e vështirë. Freskia nuk është e njëjtë, pasi ndeshjet janë shumë afër. Ne mundohemi të marrim maksimumin. Uroj të dalim sa më mirë. Normalisht është lajm i mirë që rivalët për mbijetesë nuk fituan. Gjithsesi ne duhet të jemi të përqendruar. Duhet ta shtojmë forcën tonë dhe të shpëtojmë matematikisht”.
“Eksperienca të bën më të pjekur. Nuk kam humbur asgjë, nuk ndihem i humbur. Kam mësuar shumë dhe jam gati për sfida të reja. Erdha me besim se do ta gjeja veten dhe po ndodh. Puna më ka sjellë deri këtu dhe unë punoj shumë”.
“Kompromis? Nuk mendoj se Luftëtari apo Tirana ka luksin për kompromise. Jemi futbollistë, tentojmë maksimumin. Duam finalen dhe mbijetesën. Sa kohë nuk kemi siguruar asgjë, nuk bëhen kompromise. Edhe nëse do e kishim siguruar, nuk është normale të bësh kompromise”.