Klubi zikaltër ka përforcuar thuajse të gjitha repartet e mundshme, por situata në krahun e djathtë të mbrojtës mbetet alarmante. Largimi i Zhoao Kanselos ka bërë që drejtuesit e Interit të kërkojnë urgjentisht një mbrojtës cilësor. Kroati i Atletiko Madrid, Shime Vrsaljko, është për momentin lojtari më i përfolur.Çmimi që klubi spanjoll ka vendosur për kartonin e tij është 30 milionë euro, një shumë kjo që kinezët e Suning janë të gatshëm ta paguajnë. Por ka një problem!
Sipas medieve italiane, Interi është i gatshëm ta transferojë lojtarin vetëm më anë të një marrëveshje “huazimi me blerje të detyruar” në fund të sezonit, diçka kjo që nuk pranohet kurrsesi nga spanjollët.
Ky kufizim i financave të Interit vjen si pasojë e rregullave të “Financial Fair-Play”. “FFP” është kthyer në një makth prej vitesh për klubin zikaltër. Nëse tek Atletiko nuk do të ndryshojnë mendje, vëmendja pritet të kalojë te mbrojtësi i Çelsit Davide Zapakosta, i cili nuk është në planet e trajnerit të ri të londinezëve, Mauricio Sarri.